Declan Rice e ka nisur me trofe aventurën e tij te klubi i ri Arsenali.
Mesfushori anglez iu bashkua Topçinjve nga West Ham United gjatë afatit kalimtar të verës për një shifër rekorde prej 116 milionë eurove.
24-vjeçari është shprehur shumë i lumtur që ka arritur të fitoj trofeun e parë, pasi në finale mposhtën Manchester Cityn 4-1 pas ekzekutimit të penalltive.
“Jam i ekzaltuar, po dridhem nga emocionet, jam realisht shumë i lumtur. Kur përballesh me Manchester Cityn duhet të kesh durim, pasi kundër tyre zhvillon disa mini-ndeshje brenda ndeshjes”.
“Trajneri na kishte paralajmëruar për rreziqet që do të na vinin prej tyre. Jam përmirësuar shumë në tri javët e fundit, e ndjej. Po mësoj gjëra të reja, po rritem falë kërkesave të trajnerit”, deklaroi Rice.
Rice beson se ky është vetëm fillimi, pasi thotë se mund ta realizojnë çdo objektiv që kanë para vetës.
“Jam i sigurt se mund të realizojmë çdo objektiv këtë sezon. Mjafton që të qëndrojmë të fokusuar dhe të mos humbim përqendrimin”, u shpreh mesfushori anglez. /Telegrafi/