Komuna e Deçanit ka nisur aktivitetet për Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, duke u bashkuar me fushatën globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”.
Kjo nismë ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe luftimin e dhunës në familje dhe ndaj grave përmes aktiviteteve të ndryshme edukative dhe sensibilizuese.
Sipas postimit në Facebook nga Komuna e Deçanit, ndër aktivitetet kryesore të planifikuara janë ndër to edhe miratimi i Strategjisë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave dhe botimet e broshurave informuese.
“Miratimi i Strategjisë për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, si dhe Planit të Veprimit 2024-2027 nga Asambleja Komunale, publikimi i një video-spoti me mesazhin: ‘Dhuna në familje është e papranueshme dhe duhet të dënohet, të luftohet dhe parandalohet me çdo kusht’, ndriçimi i ndërtesave publike me ngjyrë portokalli dhe promovimi i simbolit të ‘Kordelës së Bardhë’ në faqet zyrtare të komunës, botimi i një broshure informuese mbi infrastrukturën ligjore dhe masat për trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës, organizimi i takimeve informuese dhe sensibilizuese në shkollat fillore dhe të mesme për pasojat e dhunës në familje”, kanë shkruar ndër të tjera ata.
Kjo fushatë do të zgjasë deri më 10 dhjetor, duke përfshirë aktivitete që synojnë promovimin e një shoqërie të sigurt dhe të barabartë për të gjithë. /Telegrafi/