Site icon Telegrafi

Deçani fiton ndaj Trepçës në Mitrovicë, kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll

(Foto: kosovahandball.info)

Deçani ka arritur sukses të madh të mërkurën mbrëma. Skuadra deçanase është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll. Madje gjysmëfinalen e ka arritur duke bërë befasi të madhe.

Deçani, që garon në Superligën B, e ka mposhtur Trepçën në Mitrovicë me rezultat 28-25. Për deçanasit ishte fitorja e dytë rresht ndaj ‘Xehetarëve’.

Ndeshja çerekfinale ishte cilësore dhe dramatike deri në fund. Por fundin më të suksesshëm e patën mysafirët që arritën fitore të madhe.

Në pjesën e parë në epërsi kryesisht ishin vendasit. Epërsia e Trepçës shkoi deri në katër gola, ndërsa pas 30 minutave lojë rezultati ishte 13-12. Ndeshje e barabartë u zhvillua edhe në pjesën e dytë, ndërsa në minutat e fundit Deçani ishte në epërsi dhe e mbajti atë deri në fund, ndonëse në një moment mbeti me katër lojtarë në fushë. Trepçës i kushtuan edhe pesë penalltitë e humbura.

Arbios Mushkolaj me 12 gola udhëhoqi Deçanin. Kontribut dhanë të gjithë lojtarët, që u angazhuan maksimalisht deri në fund. Është shquar edhe portieri Flakrim Beqiraj.

Muhamet Dubovci ishte më efikasi te Trepça me shtatë gola.

Exit mobile version