Veton Tusha ka qenë një nga emrat më të lakuar në futbollin tonë, por edhe në atë turk në javët e fundit, pas një debutim ëndrrash me Denizlispor.
Sulmuesi 18 vjeçar nënshkroi kontratë profesionale me klubin turk Denizlispor para dy javësh, duke arritur t’i bindë të gjithë në këtë klub me aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
Ai ka debutuar kundër Galatasarayt, ku e ka shënuar edhe golin e parë, duke përligjur besimin e dhënë nga trajneri.
Në një intervistë për Telegrafin, sulmuesi i ri Veton Tusha, ka treguar ku i ka marr hapat e parë të futbollit, ku me dashuri i falënderon të gjithë ata që kanë punuar me të, duke ia dhënë mundësinë që të rritet si futbollist.
“Karrierën e kam filluar te shkolla e futbollit New Star në Kaçanik me trajner Fatos Vishi, që ka qenë edhe trajner personal dhe më ka ndihmuar shumë. Pastaj kam kaluar te shkolla Arsenal në Prishtinë, ku i falënderoj trajnerët Hetem Sogojeva, Huar Morina dhe Bujar Vraniqi për punën e bërë me mua dhe përkrahjen. Pastaj kam kaluar te Vardar, ku kam pasur një mikpritje shumë të mirë nga Darko Pançev dhe Boban Babunski dhe të gjithë trajnerët”, ka thënë fillimisht Tusha për Telegrafin.
Me vetëm 18 vjet ai tashmë e ka shkruar emrin e tij në librat e futbollit turk, kur shënoi atë gol të bukur ndaj Galatasaray. Tusha flet për nënshkrimin e kontratës dhe emocionet e debutimit dhe golit.
“Po pasi kam nënshkruar kontratë me klubin ka ardhur debutimi. Kur kam debutuar ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshëm. Kam punuar shumë për këtë ditë. Një prej ëndrrave që kisha është realizuar, por ky është vetëm fillimi. Të shënon ndaj një ekip të madh si është Galatasaray është një ëndërr e bërë realitet”, ka treguar Tusha.
Synimi i futbollistit të ri është që të vazhdojë me paraqitje të mira te Denizlispor, duke e ndihmuar këtë klub që të qëndrojë në elitë.
???? VETON TUSHA DEBUT GOAL ?!
Just 2 minutes after coming on 18 year old Veton Tusha has scored scored on his debut against #Galatasaray ??. pic.twitter.com/IXz7b1BsQ6
— Dardanian Football (@DardanianFooty) January 20, 2021
“Dua të vazhdojë në të ardhmen edhe më furishëm me këtë formë. Synimi primar është shpëtimi i Denizlispor, pastaj vijnë ato personale”, ka thënë Tusha.
Në kampionatin turk, ku Vedat Muriqi një vit më parë ishte kryefjala e tij, shumë futbollistë shqiptarë këtë vit po tregojnë vlerat e tyre.
Tusha thotë që i shikon rregullisht ndeshjet ku luajnë shqiptarët, duke shtuar se paraqitjet e tyre janë jashtëzakonisht të mira këtë sezon.
Duke parë moshën e re dhe talentin që posedon, Veton Tusha beson që një ditë do të jetë pjesë e ligave më të forta evropiane, ndërsa nuk e harron Kosovën, ku një ftesë do ta lumturonte shumë.
“Synimi im është që një ditë të luajë në ligat më të forta evropiane. Një festë nga Kosova do të ishte e mirëseardhur, pasi janë në top formë dhe do të jem gjithmonë i gatshëm” , përfundo Tusha.
I riu nga Kaçaniku ka luajtur për Kosovën U17 dhe Kosovën U19./Telegrafi/