Telegrafi

Debutimi i Hysajt në Ligën e Kampionëve

Më mirë se kaq nuk mund të shkonte. Pas një viti ku luftoi dhëmbë për dhëmbë me Juventusin për titullin kampion, pasi arriti të ishte pjesë e Kombëtares shqiptare që luajti për herë të parë në një Evropian, ditën e sotme (e martë) do të luajë edhe në Ligën e Kampionëve.

Është vetëm 22 vjeçar, por ka arritur kaq shumë në pak vite karrierë. Bëhet fjalë për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, i cili do të debutojë në garën më të madhe për klube kundër Dinamos së Kievit.

Kjo është hera e parë që futbollisti shqiptar luan në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm, pasi një viti më parë Napoli luajti në Europa League, shkruan Panorama Sport.

Sidoqoftë, Maurizio Sarri e la në bankë mbrojtësin e djathtë ndaj Palermos duke nxitur spekulime se ai mund ta humbë vendin e titullarit nga Christian Maggio.

Mirëpo, besohet se vendimi i trajnerit ishte në mënyrë që ai të pushonte, pasi e konsideron si një aset të rëndësishëm për një ndeshje delikate si ajo ndaj Dinamos së Kievit. Në këtë ndeshje pritet rikthimi i Hysajt nga minuta e parë.