Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet atmosferike ekstreme kanë pezulluar procesin mësimor në 30 shkolla të juglindjes së Shqipërisë.
Në total, 1100 nxënës nuk do të zhvillojnë mësim sot, me shumicën e tyre të përqendruar në zonën e Pogradecit, ku në zonën e Mokrës dëbora varion nga 35-50 cm trashësi.
Shkollat e qendrave kryesore si Velçani (138 nxënës), Rodokali (145 nxënës), Proptishti (112 nxënës) dhe Trebinja (84 nxënës), si dhe shkolla të tjera vartëse në fshatra si Bishnica, Slabinje, Laktesh, Buzaishtë, Kriçkovë dhe Grunjas, janë mbyllur për shkak të dëborës së madhe që ka bllokuar rrugët dhe ka vështirësuar transportin e nxënësve.
Në Devoll dhe Korçë-Pustec, shkolla të tjera si ato në Vidëhovë, Arrzë, Vithkuq, Lubonjë dhe Panarit gjithashtu kanë ndërprerë procesin mësimor për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe mungesës së qasjes në infrastrukturë.
Kushtet e krijuara nga reshjet e dëborës kanë bërë të pamundur zhvillimin e mësimit, ndërsa pritet një ndërhyrje për përmirësimin e situatës në ditët në vijim. /Telegrafi/