Telegrafi

Debati për Zvrlevskin, për gjashtë ditë, 8 folës dhe 200 replika

Ka vazhduar edhe sot debati për shkarkimin e prokurorit publik, Marko Zvrlevski, me replika dhe kundër replika, edhe atë vetëm deputetët e OBRM-PDUKM, përderisa shumica është tërhequr nga fjala, me qëllim që sa më shpejtë të mbarojë debati i kësaj pike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga OBRM-PDUKM, përsëri kanë bërë vërejtje se ikin nga debati për Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen me Bullgarinë, Strategjinë për emigrantë, zjarret, problemin me deponinë e Strugës.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka kërkuar që deputetët e OBRM-PDUKM të përqëndrohen te pika e rendit të ditës, gjegjësisht shkarkimin e Zvrlevskit.

”Prej 7 gushtit deri 12 gusht, nga 8 folës ka pasur 200 replika, kjo do të thotë puna e tërësishme e Kuvendit. Secili folës ka nga 20 replika të cilët nuk kanë lidhje me debatin”, ka thënë Xhaferi.

Nga ana tjetër, opozita insiston se kërkesa për shkarkimin e Zvrlevskit, që nga shpallja e zgjedhjeve lokale e ka shkelur Rregulloren zgjedhore. /Telegrafi/