Site icon Telegrafi

Debati për Kushtetuesen, Parlamenti voton 2 anëtarët e rinj

Në Shqipëri, parlamenti votoi sot për dy nga tre anëtarët e Gjykatës kushtetuese që i takojnë atij t’i emërojë. Me një shumicë prej 105 votash u përzgjodhën Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Vendimi u kritikua nga Partia Demokratike e cila foli per shkelje të kushtetutës. Ndërsa përmes deklaratave të veçanta, Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, e përshëndetën vendimin e sotëm të parlamentit

Votimi në parlament, u zhvillua në sfondin e një debatit të ndezur që prej javës së shkuar, kur presidenti Ilir Meta, në limitin e afatit kohor për emërimin e kandidatit të dyte prej tij, deklaroi se kishte pezulluar procedurën, duke qenë se sipas tij Kushtetuta përcakton një radhë në emërimin e anëtarëve, dhe se ai do të duhej të vepronte pasi parlamenti nga ana e tij të zgjidhte anëtarin e një prej dy vakancave të shpallura nga ky institucion.

Por, ashtu si dhe gjatë këtyre ditëve, edhe sot në sallë, përfaqësuesit socialistë folën për një përpjekje, sipas tyre, të Kreut të Shtetit për të bllokuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Radhën e ka përcaktuar Kushtetuta, për të shmangur konfliktin institucional mes tre organeve që përfshihen në kompozimin e Gjykatës kushtetuese, sepse një e treta anëtarëve rinovohen çdo tre vjet. Por radha nuk përcakton veprimin kohor, se cili vepron i pari e cili vepron i treti, sepse secili nga tre organet e ushtrojnë këtë kompetencë kushtetuese në mënyrë të pavarr nga njëri tjetri. I vetmi kufizim kohor që ka kushtetuta dhe ligji është afati 30 ditor”.

Nga ana e tij kryetari Gramoz Ruçi tha se si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ashtu dhe Këshilli i Legjislacionit i vetë parlamentit kanë vlerësuar plotësisht në respekt të Kushtetutës vijimin nga ana e këtij institucioni me emërimin e dy anëtarëve nga vakancat e veta.

Parlamenti zgjodhi me 105 vota kandidatet Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Vendimi i Parlamentit duket i sforcuar, duke qenë se ai nuk pati mundësi të zgjedhë mes tre kandidaturave, por në të dy rastet kishte vetëm një mundësi për të zgjedhur. Dhe menjëherë pas votimit, Partia Demokratike foli për shkelje të Kushtetutës.

“Për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishte 12 kandidatë siç kërkon Kushtetuta, por vetëm 4 kandidatë të vlefshëm për përzgjedhje. Këta janë të njëjtët emra si për Presidentin, ashtu edhe për Kuvendin. Kjo do të thotë që për 1 vend në Gjykatën Kushtetutese, kishte vetëm 1 kandidat, dhe jo 3 siç e detyron Kushtetuta, duke paracaktuar anëtarët dhe duke e bërë votimim fiktiv. Kjo është shkelja e parë e Kushtetutës”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, duke mbështetur më pas dhe arsyetimin e bërë nga presidenti Ilir Meta për këtë çështje.

Nga ana e tyre, Ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, përshëndetën vendimin e parlamentit. “Votimi i sotëm, çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”, thekson ambasada amerikane.

Ndërsa Delegacioni i BE-së deklaroi se e mirëpret këtë vendim dhe se pret krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE”, përfundon deklarata.

Situata e krijuar do të vijojë të ushqejë debate. Në Fletoren zyrtare të shtunën u botua vendimi sipas të cilit kandidatja Arta Vorpsi, e cila renditej e para në listën ku duhet të përzgjidhte presidenti, shpallet anëtare e Gjykatës, duke vlerësuar se kreu i shtetit nuk e kishte shfrytëzuar kompetencën e tij, brenda afatit 30 ditor. Mbetet për t’u parë nëse zonja Vorpsi, do të mund të nisë apo jo punën, duke qenë se më parë do të duhet të bëjë betimin, pikërisht para presidentit.

Meta njoftoi sot se do të shprehet në ditët e ardhshme, ndërsa përmes zëdhënësit të tij u shpreh pak pas votimit në parlament se “asgjë e re nga fronti i Ramaformës”, cilësimi me të cilin presidenti përkufizon Reformën në Drejtësi e cila siç ka theksuar në mënyrë të përsëritur është kapur nga kryeministri Edi Rama. /VoA/

Exit mobile version