Argumentet më shumë u ngjasojnë gozhdëve. Ato arsyetojnë veprime shpuese dhe goditëse, shërbejnë për të krijuar gjendje konkrete në lehtësimin e veprimeve të synuara. Deputetët me vezë duhet të shërbehen vetëm në tryezë ushqimi. Në foltoren e Kuvendit, me argumente goditët si me gozhda në çdo temë dhe në çdo debat. Çdo goditje për të cenuar integritetin fizik të oponentit politik, me çfarë do mjeti, të butë apo të fortë, të lëngët apo të ngurtë, është bumerang me efekt afatgjatë.
Nëse opozita posedonte aq argumente, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Republikës, sa trumbetonte, megjithatë debati ishte i domosdoshëm. Nuk kishte rast më të mirë se sa Kuvendi në transmetim të drejtpërdrejtë i fokusuar nga gjithë opinioni. Ishte rast ideal që opozita të prezantonte para publikut forcën e argumenteve të veta. Me këtë rast, nëse do të debatonin sheshazi, do të arsyetonin motivin e aksioneve të tyre të paralajmëruar, duke bindur opinionin në fuqinë e argumenteve të proklamuara.
Ky ishte edhe një rast i volitshëm me këtë pritshmëri për të prezantuar të vërteten e vet opozitare. E tërë kjo do ta kishte një publik që për vendin tonë do të ishte e përkryer dhe e dëshirueshme për çdo strategji komunikimi me publikun. Mes aq i dëshirueshëm dhe joshës politik për të gjithë qytetarët e brengosur. Gjithashtu, për të rritur mbështetjen e deritashme në strategjinë opozitare e ardhjes në pushtetin e synuar.
Në fund të debatit, nëse do të vlerësohej prej opozitarëve se duhet bërë gjeste joparlamentare dhe gjykim ndëshkues duke goditur me vezë, edhe kjo mund të arrihej fare lehtë në fund të debatit. E tëra nuk do të mbahej mend për lëvozhgat e vezëve të thyera dhe imazhi keq i hapësirave të Kuvendit. Mbase do të mbahej mend nga fuqia goditëse e vezëve të hedhura kundër përfaqësuesve të shumicës së qytetarëve.
Leksiku i debatit sado joparlamentar që do të kishte ndodhur dhe hedhjes së vezëve si arma e fundit nga makineria e votës, qytetarët e vendit do të kishin menduar se megjithatë, paska të tillë që edhe me vezë kanë tentuar të dalin në mbrojtje të interesave të vendit kundër përfitimeve të pozitës, pasi i ezaruan argumentet.
Mund të supozohet se kështu do të krijohej një shembull për të cilin edhe nëse nuk do të pajtohej njeriu me gjestin, forca gozhduese e argumenteve do të justifikonte veprimin joparlamentar çfarëdo qoftë në fund të debatit.
Natyrisht se debati do të vazhdonte në publik, por jo për dilemën se a kishin të drejtë apo jo opozita, por vetëm për mënyrën e veprimit, se a ishte i rëndë ndëshkimi apo jo. Në rastet kur qytetarët binden se dikush ka cenuar interesat e këtij vendi, atëherë asnjë masë dhe asnjë veprim sado i rëndë edhe jashtë sistemit institucional të drejtësisë, nuk do të penalizohej. Do të justifikohej e më vonë edhe të përligjej, sado i ashpër të shfaqet në shikim të parë.
Duke zgjedhur këtë veprim opozita për të vepruar me këtë formë, ajo dëshmoi se nuk vlerëson forcën e argumenteve, imponoj një mentalitet diktatorial të paparë në jetën tonë institucionale, duke nënçmuar forcën magjike të argumentit. Kështu, opozita dërgoi një mesazh se nuk e ka brengën për fatet e vendit tonë, por shpalos zëshëm strategjinë despotiste, duke prish rendin dhe sjell erërat e anarkisë me kapituj konfliktesh. Kjo metodë, sipas teorive dhe doktrinave sociopolitike, nuk e ndërron qeverinë e vendit, as nuk ndikon në ndryshimin e qeverisjes së vendit.
Këtë të gjithë duhet ta dinë, ata që janë të brengosur për fatet e vendit dhe ata që duan ta rrënojnë këtë vend në perspektiven e tij euroatlantike të përcaktuar nga vullneti i qytetarëve të Kosovës. Me këto metoda në zhvillime të ndjeshme për vendin dhe në përplasje të oponencave politike, duke ngulfatur debatin publik, debatin demokratik dhe debatin politik, mund të shihen qartë disa kapituj zhvillimesh politike, jetëgjatësia e qeverisjes aktuale dhe numrat e dëshiruar në Parlamentin e ardhshëm.