Site icon Telegrafi

Debati mbi tarifat përçan industrinë e energjisë diellore në SHBA

Foto: Ilustrim

Disa kompani amerikane të energjisë diellore po i bëjnë thirrje Departamentit amerikan të Tregtisë që të zgjerojë tarifat për komponentët kineze të energjisë diellore, duke përfshirë edhe produktet e lidhura me Kinën që importohen nga Malajzia, Vietnami dhe Tajlanda. Debati mbi këtë çështje ka ndarë industrinë e energjisë diellore.

Kompanitë amerikane të energjisë diellore përfitojnë nga stimujt tatimorë të qeverisë dhe një pjesë e tyre përdorin komponentë me kosto të ulët nga Kina, ku kostoja më e ulët e krahut të punës dhe numri më i vogël i kufizimeve mjedisore kontribuojnë në çmime më të ulëta të produkteve të paneleve diellore.

“Ata nuk kanë nevojë të zbatojnë rregullat që ne duhet t’i respektojmë këtu”, thotë Sean Hiatt, profesor në Universitetin e Kalifornisë Jugore.

Financimi është një tjetër arsye pasi bizneset kineze marrin kredi me kosto të ulët nga bankat shtetërore, duke ua mundësuar atyre të ofrojnë produkte me çmime të ulëta.

“Kjo filloi dekada më parë me ndërtimin e Kinës dhe një fushatë agresive për ofrimin e çmimeve të ulëta. Ata e ndërtuan industrinë e tyre me çmime të ulëta”, thotë Paula Mints nga organizata SPV Market Research.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump vendosi një tarifë prej 30 për qind për importet kineze të industrisë së energjisë diellore në vitin 2018. Ndërsa tarifat që atëherë kanë rënë në 18 për qind, disa prodhues amerikanë thonë se ato janë ende të nevojshme.

“Derisa të bëhemi mjaft konkurrues, ne mund të prodhojmë në shkallë të gjerë dhe me të njëjtin nivel kostoje, për të shitur produkte me të njëjtin çmim si konkurrentët kinezë”, thotë studiuesi Sean Hiatt.

Në gusht, 18 kompani të prodhimit të energjisë diellore kërkuan nga zyrtarët amerikanë të tregtisë që të zgjerojnë tarifat për kompanitë në tre vende të Azisë Juglindore, produktet e të cilave ata thonë se janë prodhuar në Kinë.

“Është e vështirë të kuptohet se sa nga këto mallra apo produkte, këto module të paneleve diellore, prodhohen me të vërtetë në ato vende”, thotë Fengqi Ju, profesor i inxhinierisë në Universitetin Cornell.

Kjo është e vështirë sepse komponentët e paneleve diellore mund të prodhohen në një vend dhe të montohen në një vend tjetër.

Një tjetër arsye pse qelizat diellore kineze janë me kosto më të ulët është se pjesa më e madhe e poli-silikonit që ata përdorin vjen nga impiantet me qymyr në Kinën perëndimore, ku më shumë se një milion ujgurë myslimanë janë vendosur në kampe të punës së detyruar.

“Rreth 45 për qind e poli-silikonit të Kinës prodhohet në Xinjiang me punë të detyruar. Nuk mendoj se ka forma tjera për prodhimin e tyre me kosto më të ulët”, thotë Mints.

Mungesa e fuqisë punëtore për shkak të pandemisë COVID-19, ndërprerjet e energjisë elektrike në Kinë dhe vonesat në portet amerikane, po krijojnë probleme për industrinë e energjisë diellore.

Megjithatë, ka një ndarje për çështjen e tarifave.

Tarifat rrisin koston e komponentëve thelbësorë, thotë një kompani jofitimprurëse që prodhon panele diellore për komunitetet me të ardhura të ulëta.

“Nëse duam të stimulojmë një ringjallje të prodhimit në Shtetet e Bashkuara, por kemi nevojë për disa materiale nga Azia, atëherë tarifat e larta ndaj këtyre produkteve do të dëmtonin industrinë amerikane të prodhimit”, thotë Devon Hartman, president i kompanisë CHERP Solar Works.

Pavarësisht se ku prodhohen komponentët e paneleve diellore, kërkesat për energji diellore po rriten.

“Industria e energjisë diellore po dyfishohet rreth çdo tre vjet”, thotë Tom McCalmont, president i kompanisë McCalmont Engineering.

“Kjo po ndodh për shkak se ne jemi udhëheqës në industri dhe në avancimin e këtyre teknologjive të reja”, thotë studiuesi Fengqi Ju.

Pavarësisht nga mosmarrëveshjet tregtare, profesori i inxhinierisë në Universitetin Cornell, thotë se e ardhmja e energjisë diellore është e ndritur. /VoA/

Exit mobile version