Telegrafi

Debat në KSHZ për rivotimin në Komunën e Çairit

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), sot pasdite në seancë do ta shqyrtojë dhe miratojë vendimin për përsëritjen e votimit në vendvotimin 2901 në komunën e Çairit, nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale që u mbajt më 29 tetor.

Gjykata Administrative, solli vendim me të cilin e pranoi ankesën e Lëvizjes Besa për rivotim në Çair, në vendvotimin 2901. Sipas anëtarit të KSHZ-së, Subhi Jakupit rivotimi do të mbahet këtë të diele, më 12 nëntor.

Duke marrë parasysh se në këtë vendvotim janë të regjistruar 719 votues, ndërsa në rrethin e dytë kanë votuar vetëm 278, mund të supozohet se rivotimi mund të ndryshojë rezultatin përfundimtar. Në rrethin e dytë në këtë vendvotim Zeqirija Ibrahimi kishte fituar 164, Visar Ganiu 98 ndërsa 17 vota kanë qenë të pavlefshme.

Nëse në rivotim përsëritet rezultati i rrethit të dytë, vendimtar për përcaktuesin e fituesit në komunën e Çairit do të jenë 441 votuesit të cilët nuk kanë votuar në rrethin e dytë./Telegrafi/