Finalisti i fundit dhe tenisti nga Zvicra do të ndeshen në finalen e Eng Office Masters 2013, e cila luhet të shtunën me fillim në ora 13:00, njofton Sporti1.
Deari, finalisti i vitit të kaluar dhe dy herë fitues i këtij turneu, mposhti në një finale para finales, Vullnet Tashin, me rezultatin 6:4, 4:6, 6:1 në sete. Kjo lojë dëshmoi cilësi të lartë të tenisit, ku protagonist ishin dy tenistë shqiptarë. Njëri (Deari) i cili ka rangimin më të mirë ndër pjesëmarrësit në ATP (1278) dhe tjetri (Tashi) i perfeksionuar nga shkolla amerikane, por që vuajti nga lëndimi i pësuar javë më parë.
Në gjysmëfinalen tjetër, Patrick Eichenberger mposhti pa problem tenistin e talentuar nga Mali i zi, Rrezart Cungu me rezultatin 6:1, 6:0. Zvicerani në dy ndeshjet e deritashme e ka humbur vetëm një gem.
Finalja luhet të shtunën me fillim në ora 13:00 dhe transmetim direkt nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).
Ky është edicioni i shtatë i Eng Office Masters, fituesit e deritashëm janë: Kujtim Bajrami, Shendrit Deari (dy herë), Dimitar Grabulovski (tri herë).
Turneu organizohet në terrenin e tenisit të Hotel Emerald, i dyshemesë së shpejtë. Tenistët janë të vendosur në Hotel Emerald, gjatë mbajtjes së turneut.
Turneu organizohet në formë eliminimi direkt, ndërsa fituesi veç kupës së veçantë merr edhe shpërblimin prej 1500 euro, kurse finalisti 750 euro, gjysmëfinalistët nga 200 euro duke e bërë këtë turneun me fondin më të madh të shpërblimeve të sporteve individuale në Kosovë.
Tenis – Eng Office Masters 2013
Rezultatet gjysmëfinale
1. Patrick Eichenberger – Rrezart Cungu 6:1, 6:0
2. Shendrit Deari – 3. Vullnet Tashi 6:4, 4:6, 6:1
/Sporti1/Telegrafi/