Stefan de Vrij ka premtuar se lojtarët e Interit do të ‘djersitin’ për Antonio Conten në mënyrë që ata të mund të sjellin klubin aty ku meriton të jetë.
Conte tashmë ka bërë ndikimin e tij, vetëm tri ditë pas nisjes së përgatitjeve para-sezonale me Interin, ndërsa nënshkrimet e reja si Valentino Lazaro dhe Stefano Sensi kanë pranuar se trajneri i ka bindur ata të bashkohen me Nerazzurët.
I kënaqur me trajnerin italian është edhe mbrojtësi holandez, De Vrij, i cili e ka cilësuar Conten si trajner fitues dhe ka shtuar se do të djersitin shumë për të.
“Dua të ngre nivelin e lojës dhe të rritem kështu që të mund të bëhem një lojtar i rëndësishëm për këtë ekip”, ka thënë fillimisht De Vrij për Tuttosport.
🎥 | FINE ALLENAMENTO
— Inter ⭐⭐ (@Inter) July 11, 2019
“Conte është një trajner fitues, është shumë e qartë. Ai gjithmonë na bën të punojmë me intensitet të lartë në trajnim dhe kërkon të njëjtën gjë në ndeshje. Ne jemi duke punuar në një mënyrë të shkëlqyer”.
“Është ende herët për të folur për Scudetton, pasi sezoni filloi vetëm tre ditë më parë”.
“Nuk duhet të mendojmë për të tjerët, vetëm për veten tonë, me synimin për t’u rritur dhe për të pasur një sezon më të mirë sesa ai i fundit”.
“Premtoj të bëj çmos për të sjellë klubin atje ku meriton të jetë. Siç tha Conte, ne gjithmonë do të largohemi nga fusha me fanellën plot djersë”, përfundoi holandezi. /Telegrafi/