Site icon Telegrafi

De Veritate: Mbi të vërtetën

Nga: Tomë Akuini
Përktheu: Kristë Shtufi

PYETJA E PARË: E vërteta.
NENI 1: ÇFARË ËSHTË E VËRTETA?
Vështirësitë:

1. Duket se e vërteta [verum] është e njëjtë me qenien [ens], sepse Augustini në librin Soliloquia (Bisedat vetëm) thotë: “E vërteta është ajo që është”. E ajo që është nuk është asgjë tjetër sesa qenia. Prandaj, e vërteta do të thotë saktësisht të njëjtën gjë si qenia.

2. Në përgjigje [respondens] u tha se e vërteta dhe qenia janë të njëjta materialisht [supposita], por ndryshojnë formalisht [ratione]. – Kundër kësaj është që natyra e një sendi karakte­rizohet nga definicioni i tij; e definicioni i së vërtetës, sipas Augustinit, është “ajo që është”, duke i hedhur poshtë të gjitha definicionet e tjera. Tani, meqenëse e vërteta dhe qenia janë materialisht të njëjta, duket se ato janë edhe formalisht të njëjta.

3. Veç kësaj, gjërat që ndryshojnë konceptualisht janë aq të lidhura me njëra-tjetrën saqë njëra prej tyre mund të kuptohet pa tjetrën. Për këtë arsye, Boeci në librin De Hebdomadibus thotë se ekzistenca e Zotit mund të kuptohet nëse për një çast ne mendërisht e ndajmë mirësinë e Tij nga ekzistenca e Tij. Mirëpo, qenia në asnjë mënyrë nuk mund të kuptohet ndaras së vërtetës, sepse qenia njihet vetëm për aq sa është e vërtetë. Prandaj, e vërteta dhe qenia nuk ndryshojnë konceptualisht.

4. Krahas kësaj, nëse e vërteta nuk është e njëjtë me qenien, ajo duhet të jetë një gjendje e qenies [entis dispositio]. Por, nuk mund të jetë gjendje e qenies. Nuk është një gjendje që prishet tërësisht – përndryshe, do të rridhte kjo: “Është e vërtetë. Prandaj, është joqenie”, ashtu siç rrjedh kur themi: “Ky njeri ka vdekur. Prandaj, ky nuk është njeri”. Në mënyrë të ngjashme, e vërteta nuk është një gjendje që kufizon. Sikur të ishte, nuk do të mund të thuhej: “Është e vërtetë. Prandaj, është”. Sepse nuk mund të thuhet se një gjë është e bardhë thjesht sepse ka dhëmbë të bardhë. Në fund, e vërteta nuk është as gjendje që ngushton ose specifikon qenien, sepse në atë rast nuk do të përputhej (non converteretur) me qenien. Prandaj, rrjedh se e vërteta dhe qenia janë plotësisht të njëjta.

5. Gjithashtu, gjërat në të njëjtën gjendje [dispositio] janë të njëjta. Por, e vërteta dhe qenia janë në të njëjtën gjendje. Prandaj, ato janë të njëjtat. Sepse Aristoteli në librin II të Metafizikës shkruan: “Gjendja e një sendi në aktin e tij të ekzistencës është e njëjtë me gjendjen e tij në të vërtetën”. Prandaj, e vërteta dhe qenia janë plotësisht të njëjta.

6. Më tutje, gjërat jo të njëjta ndryshojnë në njëfarë aspekti. Por, e vërteta dhe qenia nuk ndryshojnë në asnjë aspekt. Ato nuk ndryshojnë esencialisht [per essentiam] sepse çdo qenie është e vërtetë nga vetë esenca e saj. Dhe ato nuk ndryshojnë në asnjë mënyrë tjetër sepse atëherë do të duhej t’i përkisnin ndonjë gjinie të përbashkët. Prandaj, ato janë plotësisht të njëjta.

7. Po ashtu, nëse nuk do të ishin plotësisht të njëjta, e vërteta do t’i shtonte diçka qenies. Por, e vërteta nuk i shton asgjë qenies sepse ka shtrirje edhe më të madhe sesa qenia. Kjo vërtetohet nga deklarata e Filozofit, në librin IV të Metafizikës, ku thotë që ne e definojmë të vërtetën si: “Ajo që pohon ekzistencën e asaj që është dhe mohon ekzistencën e asaj që nuk është”. Në këtë mënyrë, e vërteta përfshin edhe qenien edhe mosqenien [ens et non ens]; nga kjo rrjedh se e vërteta nuk i shton asgjë qenies dhe duket se e vërteta është krejtësisht e njëjtë me qenien.
Por, kundër kësaj:

1. Përsëritja e padobishme e së njëjtës gjë është e pakuptimtë; kështu që, nëse e vërteta do të ishte e njëjtë me qenien, do të ishte e pakuptimtë të thuhet: “Qenia është e vërtetë”. Por, kjo është gabim. Prandaj, ato nuk janë të njëjta.

2. Po ashtu, qenia dhe e mira përputhen mes vete. Por, e vërteta dhe e mira, megjithatë, nuk janë të këmbyeshme, sepse disa gjëra, siç është kurvëria, janë të vërteta, por jo të mira. E vërteta, pra, dhe qenia nuk janë të këmbyeshme. Dhe kështu ato nuk janë të njëjtat.

3. Përveç kësaj, në të gjitha krijesat, siç ka theksuar Boethius në librin De hebdomadibus, “për të qenë [esse] është tjetër gjë nga ajo që është [quod est]”. Por, e vërteta nënkupton ekzistencën [esse] e gjërave. Si pasojë, te krijesat është e ndryshme nga ajo që është [quod est]. Por, ajo që është [quod est], është e njëjtë me qenien [ens]. Prandaj, te krijesat, e vërteta dallon nga qenia.

4. Po ashtu, gjërat që lidhen si përpara dhe pas [ut prius et posterius] duhet të jenë të ndryshme. Por, e vërteta dhe qenia janë të lidhura në mënyrën e lartpërmendur sepse, siç thuhet në Librin e shkaqeve: “E para nga të gjitha gjërat e krijuara është akti i ekzistencës”. Në një studim të kësaj vepre, Komentuesi shkruan si vijon: “Çdo gjë tjetër për qenien thuhet si specifikim [per informationem]”. Si pasojë, gjithçka tjetër vjen pas qenies. Prandaj, e vërteta dhe qenia nuk janë e njëjta gjë.

[…]

UNË PËRGJIGJEM:

Kur hulumtohet natyra e çdo gjëje duhet bërë e njëjta lloj analize sikur bëhet kur shkurtohet një pohim në disa parime per se të vetëkuptueshme. Përndryshe, të dyja llojet e njohjeve do të përfshiheshin në një regres të pafund dhe do të zhdukeshin dija dhe njohja jonë për gjërat [scientia et cognitio rerum]. Tani, siç thotë Avicena në fillim të Metafizikës së tij, nocioni i parë që e kupton intelekti dhe në të cilin ai i redukton [resolvit] të gjitha nocionet e tjera, është qenia. Por, nocionit të qenies nuk mund t’i shtohet asgjë që do të ishte diçka që sipas strukturës së vet nuk përfshihet në qenie – në mënyrën që një ndryshim i shtohet një gjinie ose një subjekti [subiecto] vetia përkatëse [accidens] – sepse çdo realitet [natura] është esencialisht një qenie [ens]. Filozofi, në librin III të Metafizikës, e ka treguar këtë duke provuar se nocioni i qenies nuk mund të jetë një gjini. Por, kur themi se nocionit të qenies i shtohet diçka, kjo merret në kuptimin e shprehjes së një mënyre [modum] të qenies të cilën nuk e shpreh fjala qenie [entis].

Kjo ndodh në dy mënyra: së pari, mënyra e shprehur është një mënyrë e caktuar e veçantë e qenies [modus entis] sepse ekzistojnë shkallë të ndryshme të qenies [gradus entitatis], në bazë të të cilave flasim kur flasim për nivele të ndryshme të ekzistencës [modi essendi] dhe sipas këtyre shkallëve klasifikohen gjërat e ndryshme. Si pasojë, substanca [substantia] nuk i shton ndonjë ndryshim qenies duke nënkuptuar një realitet të shtuar në të, por substanca thjesht shpreh një mënyrë të veçantë të ekzistencës, domethënë, si një qenie në vetvete [per se ens]. E njëjta gjë vlen edhe për kategoritë e tjera.

Së dyti, thuhet se disa i shtojnë qenies, sepse mënyra që shprehin ato, është një mënyrë e zakonshme dhe rrjedhojë e çdo qenieje. Kjo mënyrë mund të merret në dy kuptime: së pari, për aq sa ajo i përket çdo qenieje në raport me vetveten; së dyti, për aq sa i përket çdo qenieje në raport me një tjetër. Në kuptimin e parë, shprehja përdoret në dy mënyra, sepse shpreh diçka në qenie ose në mënyrë afirmative ose negative. Mirëpo, ne nuk mund të gjejmë asgjë që mund të thuhet në mënyrë afirmative për çdo qenie dhe, në të njëjtën kohë, në mënyrë absolute, me përjashtim të esencës [essentia] së saj, me të cilën qenia thuhet se është [secundum quam esse dicitur]. Për ta shprehur këtë, përdoret termi gjë [res] sepse, sipas Avicenës, në fillim të Metafizikës, “gjëja ndryshon nga qenia, sepse qenia e merr emrin e saj nga akti i qenies [ab actu essendi], kurse gjëja shpreh çështësinë [quidditatem] ose esencën e qenies [essentiam entis]”. Në anën tjetër, mohimin që e zbatojmë absolutisht te çdo qenie, vjen në shprehje në nocionin e pandashmërisë, e kjo shprehet nga njëshi [unum], sepse njëshi është qenie thjesht e pandarë [ens indivisum].

Nëse mënyrën e qenies e marrim në mënyrën e dytë – sipas raportit të një qenieje me një qenie tjetër – atëherë kjo mund të ketë përdorim të dyfishtë. I pari bazohet në dallimin (divisionem) e një qenieje nga një qenie tjetër dhe ky dallim shprehet me fjalën diçka [aliquid], e cila nënkupton, si të thuash, ndonjë gjë tjetër [aliud quid]. Sepse, ashtu siç thuhet se një qenie është një [unum], në kuptimin që është e pandashme në vetvete, ashtu thuhet se është diçka [aliquid], në kuptimin që ndahet nga të tjerat. Te ndarja e dytë kemi parasysh për­puthjen [convenientiam] e një qenieje me një tjetër. Kjo është e mundur vetëm nëse ekziston diçka që është e tillë që për­puthet [convenire] me çdo qenie. Një qenie e tillë është shpirti, i cili, siç thuhet në kapitullin III të De Anima, “në njëfarë mënyre është gjithçka” [“quae quodammodo est omnia”]. Megjithatë, shpirti ka fuqi njohëse dhe appetitive [vis cognitiva et appetitiva]. E mira shpreh korrespondencën e qenies me fuqinë apetitive sepse, dhe kështu e vërejmë në fillim të Etikës, e mira është “ajo që e dëshirojnë të gjithë”. E vërteta [verum] shpreh përputhjen e qenies me intelektin [Convenientiam vero entis ad intellectum].

E gjithë njohja, domethënë, prodhohet me një ngjashmëri [per assimilationem] të njohësit që ia bën sendit të njohur, në mënyrë që ngjashmëria thuhet se është shkaku i njohjes. Në mënyrë të ngjashme, shqisa e të parit e njeh ngjyrën duke u informuar me një lloj të ngjyrës [speciem coloris].

Krahasimi i parë i qenies me intelektin, pra, konsiston në marrëveshjen e tij me intelektin. Kjo marrëveshje quhet “për­shtatja e intelektit dhe sendit” [adaequatio intellectus et rei]. Në këtë përshtatje plotësohet përbërësi formal i së vërtetës dhe kjo është ajo që e vërteta ia shton qenies, domethënë, përputhjen ose përshtatjen e sendit dhe intelektit. Siç thamë, njohja e një gjëje është pasojë e kësaj përputhjeje, prandaj kjo është një efekt i së vërtetës, edhe pse fakti që sendi është një qenie [entitas rei], i paraprin të vërtetës së tij.

Në përkim me këtë, e vërteta ose ajo që është e vërtetë [veritas sive verum] është përkufizuar në tri mënyra. Para së gjithash, ajo përkufizohet sipas asaj që i paraprin të vërtetës dhe që është baza e së vërtetës. Kjo është arsyeja pse Augustini në librin Bisedë me vetveten shkruan: “E vërteta është ajo që është”; dhe Avicena në Metafizikën e tij thotë: “E vërteta e secilës gjë është një veti e ekzistencës së saj që e themelon atë”. E disa të tjerë thonë: “E vërteta është pandashmëria e aktit të ekzistencës dhe e asaj që është” [indivisio esse, et quod est]. E vërteta përkufizohet, gjithashtu, në një mënyrë tjetër, sipas asaj, ku kompletohet formalisht përcaktimi i saj intelegjibil. Kështu, Isaku [Isak Izraeli, në librin Liber de definitionibus] shkruan: “E vërteta është përshtatja e sendit dhe intelektit [veritas est adaequatio rei et intellectus]”; e Anzelmi në librin Mbi të vërtetën: “E vërteta është një korrektësi e perceptueshme vetëm nga mendja [veritas est rectitudo sola mente perceptibilis]”. Kjo korrektësi, natyrisht, thuhet se bazohet në një farë për­shtatjeje. Filozofi, në librin IV të Metafizikës, thotë se në për­kufizimin e së vërtetës ne themi se të vërtetën e kemi kur konfirmojmë “se është ajo që është dhe që nuk është ajo që nuk është”.

Mënyra e tretë e përkufizimit të së vërtetës është sipas efektit që pasohet pas saj. Kështu, Hilari [Hilarius] thotë se e vërteta është ajo që manifeston dhe shpall ekzistencën. E Augustini në librin De vera religione thotë: “E vërteta është ajo me të cilën tregohet ajo që është” dhe, gjithashtu: “E vërteta është ajo, sipas së cilës gjykojmë për gjërat e kësaj bote [de inferioribus]”.

Përgjigjet për vështirësitë:

1. Ky përkufizim i Augustinit është dhënë për të vërtetën siç e ka themelin e saj në realitet, e jo aty që nocioni i të vërtetës realizohet në përshtatjen e sendit dhe intelektit. Një përgjigje alternative do të ishte se në pohimin “E vërteta është ajo që është”, fjala “është” këtu nuk kuptohet sikur referon tek akti i ekzistencës, por më tepër si shenjë e aktit intelektual të të gjykuarit, të shënuarit, dmth., afirmimi i një propozicioni. Kuptimi atëherë do të ishte ky: “E vërteta është ajo që është. Ajo kihet kur afirmohet ekzistenca e asaj që është”. Nëse ky është kuptimi i saj, atëherë përkufizimi i Augustinit pajtohet me atë të filozofit që u përmend më lart.

2. Përgjigjja është e qartë nga ajo që është thënë.

3. “Një gjë mund të kuptohet pa një gjë tjetër” mund të merret në dy mënyra. Kjo mund të nënkuptojë që diçka mund të dihet ndërsa një tjetër mbetet e panjohur. Marrë në këtë mënyrë, është e vërtetë që gjërat që ndryshojnë konceptualisht janë të tilla që njëra mund të kuptohet pa tjetrën. Por, ka një mënyrë tjetër që një gjë mund të kuptohet pa një tjetër: kur është e njohur, ndonëse tjetra nuk ekziston. Marrë në këtë kuptim, qenia nuk mund të njihet pa të vërtetën sepse nuk mund të njihet nëse nuk pajtohet me vullnetin ose nëse nuk përkon ose nuk përputhet me intelektin. Sidoqoftë nuk është e nevojshme që çdokush që kupton nocionin formal të qenies duhet ta kuptojë edhe nocionin formal të së vërtetës – ashtu si jo të gjithë ata që e kuptojnë qenien – e kuptojnë intelektin agjent, edhe pse asgjë nuk mund të dihet pa intelektin veprues [intellectu agente].

4. E vërteta është një gjendje e qenies [dispositio entis] edhe pse nuk i shton asnjë realitet qenies ose shpreh ndonjë mënyrë të veçantë të ekzistencës. Më tepër është diçka që zakonisht gjendet në çdo qenie, megjithëse nuk shprehet me fjalën qenie. Si pasojë, nuk është një gjendje që prishet, kufizohet ose ngushton.

5. Në këtë kundërshtim, gjendja nuk duhet të kuptohet se i përket gjinisë së cilësisë. Kjo nënkupton, më saktë, një rend të caktuar sepse ato që janë shkaku i ekzistencës së gjërave të tjera, janë vetë qeniet më të plota, dhe ato që janë shkaku i së vërtetës së gjërave të tjera, janë vetë të vërteta në mënyrën më të plotë. Për këtë arsye filozofi konkludon se rendi i një sendi në ekzistencën e tij korrespondon me rendin e tij në të vërtetën, kështu që kur dikush gjen atë që është qenia më e plotë, ai gjen atje edhe atë që është e vërtetë në mënyrën më të plotë. Por, kjo nuk do të thotë se qenia dhe e vërteta janë e njëjta në koncept. Do të thotë, thjesht që në shkallën në të cilën një send ka qenie, në atë shkallë është e aftë të përshtatet me intelektin. Si pasojë, e vërteta varet nga karakteri formal i qenies.

6. Ekziston një dallim konceptual midis së vërtetës dhe qenies, sepse ekziston diçka në nocionin e së vërtetës që nuk është në konceptin e ekzistencës – jo në një mënyrë të tillë, megjithatë, që diçka të ekzistojë në konceptin e qenies, e të mos ekzistojë në konceptin e së vërtetës. Ato nuk dallojnë mes vete në esencë dhe as nuk dallojnë nga njëri-tjetri me dallime të kundërta.

7. E vërteta nuk ka një shtrirje më të gjerë sesa qenia. Qenia, në njëfarë mënyre, i jepet mosqenies [non ente] për aq sa mosqenia kuptohet nga intelekti. Sepse, siç thotë filozofi në librin IV të Metafizikës, mohimi ose privimi i qenies, në një kuptim, mund të quhet qenie. Avicena e mbështet këtë në fillim të Metafizikës së tij, duke thënë se dikush mund të formojë pohime vetëm për qeniet, sepse ajo për të cilën formohet një pohim, duhet të kuptohet nga intelekti. Si pasojë, është e qartë se gjithçka e vërtetë ekziston në njëfarë mënyre.

Përgjigjet për vështirësitë e kundërta:

1. Arsyeja pse nuk është tautologjike të quhet e vërtetë një qenie, është se diçka shprehet me fjalën “e vërtetë” që nuk shprehet me fjalën “qenie”, dhe jo se ato dyja dallojnë në realitet.

2. Edhe pse kurvëria është e keqe, ajo ka një qenie dhe mund të përputhet me intelektin [conformari intellectui]. Prandaj, karakteri formal i së vërtetës [ratio veri] gjendet këtu. Pra, është e qartë se e vërteta nuk e tejkalon qenien e as qenia nuk e tejkalon të vërtetën.

3. Në thënien “Për të qenë është ndryshe nga ajo që është [diversum est esse, et quod est]”, akti i qenies [actus essendi] dallohet nga ai, të cilit i përket ai akt. Por, emri i qenies [nomen entis] është marrë nga akti i ekzistencës, jo nga ai akt i të cilit është. Prandaj, argumenti nuk rrjedh [ideo ratio non sequitur].

4. E vërteta, në këtë aspekt, vjen pas qenies [verum est posterius ente], në kuptimin që nocioni i së vërtetës dallon nga ai i qenies në mënyrën që kemi përshkruar. /Revista “Akademia”/

Exit mobile version