Daniele De Rossi thotë se Juventusi ka objektiva të tjerë dhe nuk deshi ta fitojë ndeshjen ndaj Romës.
Juventusi luan në mesjavë në finale të Kupës së Italisë dhe De Rossi thotë kjo skuadër është duke e shkruar historinë e futbollit.
“Ekzistonin një mijë vështirësi dhe një mijë arsye. Ndoshta një fitore ndaj Juves ishte e paparashikueshme, por le të tregohemi të ndershëm: Juvja e sotme, nëse dëshiron të fitojë, e bën”.
“Ne u treguam të zotë dhe patëm edhe fat që barazuam menjëherë. Reaguam shumë mirë, por fatkeqësisht duhet të gjunjëzohemi ndaj këtyre përbindëshave, sepse përndryshe kjo Romë do të hynte në histori”.
“Ata po lëshojnë pikë vetëm sepse tashmë e kanë ulur ritmin dhe po ruajnë energjitë”.
“Po të ishte një finale, ata do të kishin luajtur ndryshe kundër nesh. Edhe ne do të kishim dëshirë të fitonim ndonjëherë, por sinqerisht, kemi përballë një ekip përbindëshash. Ndoshta vetëm pas disa vitesh do ta kuptojmë se ky Juventus po shkruan historinë e futbollit”, ka thënë De Rossi. /Telegrafi/