Site icon Telegrafi

De Ligt: Vështirë se do të bëhem lider te Juve, por do të përpiqem sikurse te Ajaxi

Matthijs de Ligt ka pranuar se ka mbetur i befasuar me bashkëlojtarët te Juventusi dhe se do ta ketë të vështirë të bëhet lider i ekipit.

Mbrojtësi holandez tashmë ka nisur të ambientohet me klubin e ri pas transferimit për 85.5 milionë euro nga kampioni Ajax.

Ai ka pasur dy paraqitje në ndeshjet miqësore, ku Juventusi u mposht kundër Tottenham Hotspurs dhe fitores pas ekzekutimit të penalltive ndaj Interit, ku futbollisti realizoi një autogol.

Matthijs de Ligt (Foto: Juventus FC/Twitter)

“Jam shumë i lumtur me shokët e ekipit, ata janë vërtet miqësor. Mësoj prej tyre çdo ditë”, tha 19-vjeçari për gazetën italiane, Tuttosport.

“Ka shumë lojtarë me përvojë këtu, kështu që jam me të vërtetë i lumtur. Jam i befasuar me nivelin e të gjithëve. Të gjithë janë të fokusuar dhe askush nuk rri duarkryq sepse të gjithë individualisht janë shumë të fortë. Natyrisht, do të jetë e vështirë të jesh lider me lojtarë të tillë të fortë, por unë do të bëj çmos”.

“Cristiano nuk ishte faktori kryesor për mua që të vijë në Juve: kishte shumë elemente që më detyruan të vendosja të pranoj thirrjen e bardhezinjve. Pas kësaj është diçka e mirë kur dikush i madh të flet mirë për ty”, pohoi shtatgjati.

Ndryshe, De Ligt po konsiderohet si një ndër futbollistët e së ardhmes të mbrojtjes së kampionit italian, por edhe të kombëtares së Holandës. /Telegrafi/

Exit mobile version