Mbrojtësi i Juventusit, Matthijs De Ligt, ka dhënë një intervistë të gjatë për DAZN, ku foli për shumë çështje, duke nisur nga marrëdhëniet me Max Allegrin, fillimin e vështirë dhe idhullin e fëmijërisë.
“Allegri është një trajner me përvojë të madhe që di për futbollin, i cili ka fituar shumë me Juventusin dhe Milanin. Jam i lumtur që ai është trajneri im tani, kjo është shumë e rëndësishme për tu përmirësuar. Taktikisht ai më ndihmon shumë. Nuk ka rëndësi nëse luajmë futboll të mirë apo të keq, e vetmja gjë që ka rëndësi është të fitojmë”.
“Sipas mendimit tim, kritika është normale në futboll, unë jam ai që kritikoj më shumë veten. Është e rëndësishme të kesh këtë ide se çfarë duhet bërë për tu përmirësuar”, ka thënë fillimisht ai.
Holandezi ka thënë se ka dëshirë të luajë kundër lojtarëve si Rober Lewandowski.
“Përballja me një sulmues si Lewandowski është e vështirë sepse ai ka kaq shumë përvojë dhe nuk ka nevojë të luajë gjithmonë mirë pasi ka ndjenjën e golit: kjo është shumë e ndërlikuar për një mbrojtës”, deklaroi ai.
Idhulli si fëmijë i De Ligt ishte Christian Eriksen, dhe ai tregon se pse.
“Idhulli im ishte Christian Eriksen, sepse ai luante për Ajaxin si mesfushor dhe unë kam qenë një i tillë në të kaluarën”, ka thënë De Ligt.
Në fund ndeshjen më të mirë të tijën e ka zgjedhur atë kundër Real Madridit, në vitit 2019. /Telegrafi/