Telegrafi

De Jong nuk po i bindet aspak shefave të Barcelonës – situata e tij ka shkaktuar kaos brenda klubit

Mungesa e gjatë e Frenkie De Jong duket se do të vazhdojë mes raportimeve se ylli i Barcelonës ka injoruar këshillat e doktorëve të klubit.

27-vjeçari nuk është paraqitur për Barcelonën që prej se pësoi një lëndim në kyçin e këmbës ndaj Real Madridit më datë 21 prill.

Ka pasur konfuzion mbi atë se sa gjatë do të mbetet jashtë fushave De Jong, pasi momentalisht ka një mungesë të qartësisë nga klubi dhe lojtari.

Pasi humbi muajt e fundit të sezonit të kaluar, ish-ylli i Ajaxit bëri përpjekje që të bëhet pjesë e ekipit të Holandës për Euro 2024.

Ai fillimisht ishte pjesë e listës provizore për këtë garë, para se të zëvendësohej kur u bë e qartë se nuk është në gjendje optimale fizike për t’u paraqitur në Gjermani.

Mediumi anglez Daily Express, ka raportuar se tek Barcelona nuk janë të sigurt se kur do të rikthehet De Jong në aksion.

Është bërë me dije po ashtu se ka disa mosmarrëveshje sa i përket lëndimit të tij, i cili ka shkaktuar shqetësime të mëdha në hierarki.

Barcelona thuhet se ka këshilluar De Jongun që t’i nënshtrohet operimit në kyçin e këmbës, por holandezi deri më tani e ka refuzuar këtë opsion.

De Jong beson se operimi nuk i garanton atij asgjë dhe në vend të kësaj ka preferuar që t’i nënshtrohet një programi të veçantë të rehabilitimit.

Sidoqoftë, Barcelona do të refuzojë që ta aktivizojë atë në lojë deri në momentin kur janë të bindur plotësisht se është rikthyer në formë optimale fizike./Telegrafi/