Site icon Telegrafi

De Gea i gatshëm të rikthehet tek Man Utd, por ka një kusht që kjo të ndodhë

David De Gea është i hapur për t’u rikthyer tek Manchester United, por vetëm në rast se dy figura të rëndësishme nuk janë më pjesë e klubit.

Sipas raportiemve të fundit, De Gea është i zemëruar me trajnerin Erik ten Hag dhe drejtorin sportiv John Murtough, të cilin e mban përgjegjës për largimin e tij nga ‘Old Trafford’.

Burime pranë portierit kanë zbuluar se De Gea i ka thënë rrethit të tij të ngushtë se do të ishte i gatshëm t’i ribashkohet Unitedit, në rast se Ten Hag dhe Murtough largohen nga klubi.

Sidoqoftë, kjo është një kërkesë e madhe dhe e parealizueshme pasi ‘Djajtë e Kuq’ tashmë e kanë konfirmuar teknikun holandez në stol edhe për sezonin e ardhshëm.

Portieri spanjoll e kishte bërë të qartë se nuk e ka për qëllim që të luajë për ndonjë ekip tjetër në Angli, duke e lënë mundësinë e rikthimit tek Unitedi si të vetmin opsion në Ligën Premier.

The Athletic raporton se qëndrimi i De Geas nuk ka ndryshuar dhe ai mbetet i etur të rikthehet në Spanjë ose të ribashkohet me Unitedin, por vetëm pa Ten Hag dhe Murtough në krye.

De Gea kishte njoftuar për largimin e tij nga Unitedi më 8 korrik të vitit të kaluar, duke i dhënë fund aventurës 12-vjeçare në Angli.

Gjatë këtyre viteve, 33-vjeçari ishte paraqitur në 540 ndeshje, ku në 190 prej tyre kishte arritur ta mbajë portën e pastër.

Ai gjithashtu ka fituar dy herë ‘Dorezën e Artë’ të Ligës Premier, si dhe ishte shpallur katër herë lojtari më i mirë i sezonit tek United./Telegrafi/

Exit mobile version