Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare është në listën e opsioneve për përfaqësuesen italiane.
Sukseset e Gianni De Biasit me kombëtaren shqiptare, janë vlerësuar lartë në vendin e tij. Dhe me njoftimin se Antonio Conte nuk do të vazhdojë me Azzurrët pas EURO 2016, pasi që pritet të merr drejtimin e Chelseat, është bërë lista e opsioneve për selektorin e ri.
Kështu, mes emrave të Roberto Donadonit dhe Walter Mazzarit, i treti me radhë është Gianni De Biasi, ku ka marrë 30% të votave nga publiku italian gjatë emisionit “Domenica Sportiva” (E diela sportive, v.j.).
Mysafir në emision ka qenë edhe ndihmësi i kombëtares shqiptare, Paolo Tramezzani, që ka pranuar se nuk e kanë diskutuar me De Biasin këtë mundësi.
“De Biasi në krye të Italisë… Vështirë që largohet nga Shqipëria. Por, gjithsesi nuk e kemi diskutuar asnjëherë këtë,” ka thënë Tramezzani, ka njoftuar sot Supersport.
Pas treshes së përmendur, thuajse të pamundur për selektor të kombëtares italiane me vetëm 3 dhe 5% të votave janë renditur Fabio Capello dhe Marcelo Lippi.