Në mesin e shumë personazheve të famshme, edhe ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare, italiani Gianni De Biasi, ka vendosur të kontribuojë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, që la mbi 50 persona të vdekur, qindra të lënduar e po ashtu edhe dëme të mëdha materiale.
Me anë të një video të publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, De Bias ka ftuar të gjithë miqtë e tij të huaj të kontribuojnë me fonde për personat e prekur nga tërmeti.
Në ndërkohë, të shtunën(14 dhjetor), i njëjti ka realizuar një takim bamirësie në favor të njerëzve të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Përshëndetje të gjithëve! Miqtë e mi të ‘Bici E Solidarieta’ Carovigno’ organizojnë të shtunën, më 14 dhjetor, një takim bamirësie në favor të njerëzve të goditur nga tërmeti në Shqipëri”.
“Ju ftoj të merrni pjesë sa më shumë, për të dhënë edhe ne kontributin tonë. Edhe një herë faleminderit dhe forca Shqipëri”, është mesazhi i tij për të gjithë ndjekësit.
De Biasi përndryshe konsiderohet të jetë një prej trajnerëve më të mirë në histori të Shqipërisë, ndërsa ishte nën menaxhim të klubit shqiptar për gjashtë vite, 2011 – 2017. /Telegrafi/