Telegrafi

De Biasi: Manaj, Tarashaj dhe Kamberi, e ardhmja e Shqipërisë

Rey Manaj, Shani Tarashaj e Florian Kamberi janë vetëm disa nga shumë talente shqiptare që kanë shpërthyer në këtë fillim të kampionateve. Përzgjedhësi Gianni de Biasi ka folur për mundësinë e inkuadrimit të tyre në Kombëtaren A.

“Ndaj Danimarkës dhe Portugalisë do të grumbulloj pothuajse të njëjtët lojtarë që përfshiva në listë me Armeninë dhe Francën. Nuk janë vetëm Manaj apo Kamberi që duhet t’i kemi në vëmendje. Edhe Tarashaj që luan me Zurichun është një element i rëndësishëm. Zgjedhjes që bën duhet t’i japësh edhe një shpjegim logjik”, deklaroi De Biasi.

Ai thotë së djemve duhet tu japim kohë që të rriten, ndërsa ata janë e ardhmja e Shqipërisë.

“Djemve u duhet dhënë koha e mjaftueshme që të fitojnë përvojë dhe kur të kenë bërë eksperiencë me ekipet e para, atëherë do të merren në konsideratë edhe në Kombëtare. Është e parakohshme që të flitet për grumbullimin e tyre, por sigurisht ata janë e ardhmja e Shqipërisë”, përfundoi italiani. /Telegrafi/