Telegrafi

De Biasi ka dy fjalë për kombëtaren e Italisë

Nuk është çështje orësh, por gjithsesi mbetet çështje ditësh, deri në zyrtarizimin e Giampiero Venturas në postin e trajnerit të përfaqësueses së Italisë, pas largimit të Antonio Contes, për dy vitet e ardhshme, deri në Botërorin Rusi 2018.

Sipas asaj që zbulon “Gazzetta dello Sport”, pritet që presidenti i Federatës Italiane, Carlo Taveçhio të takohet me Venturan mes të hënës dhe të mërkurës së ardhshme për të firmosur kontratën dyvjeçare të trajnerit të ri të kombëtares “azzurre”.

Një përfundim ky disi i hidhur për trajnerin e Kombëtares Kuqezi, Gianni De Biasi, i cili deri sot ishte kandidat potencial për të marrë drejtimin e përfaqësueses “azzurre”.

“Ndihem tejet i nderuar, së pari sepse Federata Italiane e ka mbajtur emrin tim në konsideratë. Por, e kam thënë edhe më parë: gjëja më e rëndësishme për mua në këto momente është që të përqendrohem vetëm te Kampionati Europian me Shqipërinë time. Nuk e di, por nëse është zgjedhur do të thotë se është në lartësinë e situatës dhe i uroj Venturas shumë suksese në stolin e Kombëtares Italiane”, u shpreh De Biasi.