Site icon Telegrafi

Davutoglu u keqkuptua: “Mbetje osmane… ” nuk është fjali e tij

Peticioni i 127 intelektualëve shqiptarë kundër marrëdhënieve shqiptare-turke, me insinuatat se “ka pasur vrasje, shfarosje, dhunë të vazhdueshme… shqiptarët ishin populli më i persekutuar i Perandorisë” e cila ” shkaktoi tragjedi dhe drama”, dhe se “ekspertët turq përbëjnë një agresion kulturor që godet boshtin kurrizor të kombit…. cenon ADN-në e kombit shqiptarë… “etj. nxori në shesh shumëçka. Ndër ta edhe faktin se intelektualët tanë nuk kanë vullnet të mjaftueshëm të shërbehen me vepra origjinale – edhe kur janë të botuara – e aq më pak me burime arkivistike.

Si pasojë e kësaj, vjen fajësimi i ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu, se i quan shqiptarët “mbetje e Perandorisë Osmane” apo “Mbetje Osmane…” duke u mbështetur në përkthimin shqip, e jo me kujdesin e merituar të veprës së tij.

Ky atakim ndaj autorit të veprës “Thellësia strategjike” ( Shkup, 2010 – botimi shqip), zuri vend edhe në media elektronike dhe të shkruara në hapësirën shqiptare. Prandaj, për të mos i trashë gabimet, konsideroj se duhet paraqitur opinionit shqiptar, atij profesional shkencor, dhe më gjerë, thelbin e këtij keqkuptimi.

Shkaktar është përkthimi jo korrekt në gjuhën shqipe i fjalës “bakiye”.

Davutoglu thotë: “ Türkiye`nin Balkanlar`daki siyasi etki temeli Osmanlı bakiyesi Müslüman topluluklardır” (bot. i 77, 2012, Istanbul,) , që M. Hoxha e përktheu: “Themeli i ndikimit politik të Turqisë në Ballkan janë popullsitë myslimane si mbetje osmane”, në vend se ta përkthente: “Esenca, themeli i ndikimit politik i Turqisë në Ballkan është ekzistenca (vazhdueshmëria, a mbijetesa ) e popujve myslimanë si rezultat i sundimit osman”. ( Kjo i referohet – më poshtë – shqiptarëve dhe boshnjakëve! )

Lëshimi i përkthyesit është se fjalën “bakiye”, një fjalë arabe e cila kuptimin themelor e ka: përjetësi, pavdekshmëri, qëndrueshmëri, vazhdimësi. “Huve-l-baki” ka edhe kuptimet: suficit, saldo, gjësend i lënë, i mbetur etj. Këtë është dashtë ta ketë parasysh përkthyesi dhe të përdorë kuptimin që korrespondon me natyrën e tekstit konkret.

Kjo nuk i përket autorit të librit, Ahmet Davutoglu, por është pakujdesi e procedurës në publikim.
 

Exit mobile version