Telegrafi

David Mcallister: Serbia të vazhdojë dialogun me Kosovën

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David Mcallister, ka porositur Serbinë se duhet të vazhdojë sa më shpejt procesin e dialogut me Kosovën dhe arritjen e një marrëveshje ligjore.

Gjatë prezantimit të raportit të këtij viti, Mcallister i kërkoi Serbisë të vazhdojë reformat në “fushat kyçe” të gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe lirinë e shprehjes dhe medias.

Ai tha se Serbia po përparon në rrugën e saj drejt BE-së dhe se ritmi i përgjithshëm i negociatave varet nga përparimi në miratimin dhe zbatimin e reformave në fushat kyçe.

Mcallister shtoi se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është një sfidë e madhe për Serbinë.

“Dialogu duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, por ne e dimë se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme”, tha ai, transmeton KosovaPress.

Ndryshe, Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e procesit të dialogut me heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, të cilën Prishtina zyrtare e vendosi në nëntor të vitit të kaluar, e për të cilën kryeministri Ramush Haradinaj ka këmbëngulur se do të hiqet vetëm kur Beogradi zyrtar të njohë shtetin e pavarur të Kosovës.