Telegrafi

David Luiz është operuar me sukses, por gjasat për të luajtur këtë sezon nuk janë të mëdha

(Foto: Instagram/davidluiz_4)

Arsenali ka konfirmuar se David Luiz i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike në gjurin e djathtë dhe pritet të kthehet në stërvitje në javët në vijim.

Braziliani mungoi në humbjen e Topçinjve nga Liverpooli të shtunën mbrëma, ndërsa Mikel Arteta ka pranuar se nuk është i sigurt se a do të mund të luajë qendërmbrojtësi më këtë sezon.

Futbollisti, i cili këtë muaj i mbush 34 vjet, ka shumë pak kohë për t’u rikuperuar në përpjekje që të luajë sërish këtë edicion.

Në kumtesën për shtyp të stafit mjekësor të Arsenalit thuhet se procedura ka qenë e suksesshme dhe se lojtari është duke u riaftësuar në shtëpi. Edhe vet lojtari e ka shpërndarë një fotografi nga shtrati duke treguar se procedura ka qenë e suksesshme.

Sipas njoftimit, në ditët në vijim, Luiz pritet t’i bashkohet stafit mjekësor në qendrën stërvitore, ku do të përcillet rikuperimi ditor i tij, me shpresën që “në javët në vijim” mund të jetë në dispozicion të trajnerit. /Telegrafi/