Është liruar Daut Xhemajli, ish-zëvendësministri i Drejtësisë dhe ish-shefi i Administratës dhe Personelit në Komunën e Vitisë.
Xhemalji që aktualisht është asamblist i Nismës në Viti, bashkë me dy ish-zyrtarë të kësaj komune Abdullah Eminin dhe Sabri Sherifin akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Xhemajli u lirua nga trupi gjykues i përbërë nga Afrim Shala, Islam Thaçi dhe Hasan Sadiku me arsyetimin se gjatë gjykimit nuk u vërtetua teza e prokurorisë se ai kreu veprën penale për të cilën akuzohej.
Për KALLXO.com Xhemajli tha se procesi ka qenë i mundimshëm për të gjatë gjithë kohës sa zgjati.
“Kanë qenë 5 vjet të gjatë këto që nga ngritja e aktakuzës, por drejtësia tash ka rënë në vend”, tha Daut Xhemajli.
Xhemajli akuzohej se në kohën kur ishte shef i Administratës dhe Personelit në vitin 2009, pa përfillur Zyrën e Prokurimit kishte lidhur kontratë me vlerë prej 7,900 eurove për implementimin e punëve të projektit “Rregullimi i trotuarëve dhe drunjve dekorativë në Viti” me kompaninë NNP “Kristal”.
Nga akuza për keqpërdorim detyre u liruan edhe Abdullah Emini e Sabri Sherifi.
Abdullah Emini akuzohej se në cilësinë e shefit të Zyrës së Prokurimit më 11 shtator 2009 e ka vazhduar në mënyrë të kundërligjshme kontratën për furnizim me derivate me kompaninë “Izi Petrol”.
Ndërsa Sabri Sherifi, i cili kishte pozitën e menaxherit për mbikëqyrje të punimeve akuzohej se ka kryer pagesën e punimeve pa u përfunduar ato në projektin për rregullimin e trotuareve dhe kanalizimit në Pozheran.
Pjesë e këtij gjykimi në fillim ishin edhe Tahir Lubishtani, Ridvan Ademi dhe Musa Hasani, por trupi gjykues kishte refuzuar akuzën gjatë procedurës gjyqësore.
Gjykata Themelore në Gjilan në shkurt të vitit 2015 kishte shpallur fajtor Daut Xhemajlin nga Vitia dhe e kishte dënuar me 1 vit e pesë muaj burgim.