Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka shpalosur një rrëfim të rëndë lufte, që lidhet me familjen e ish-bashkëluftëtarit Lahi Brahimaj, me të cilin ka edhe lidhje familjare.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka treguar momentet kur nga bombardimet e forcave serbe mbi shtëpinë e Lahi Brahimajt, në natën e 2 gushtit të vitit 1998, ishin vrarë nëna dhe gjyshja e Lahiut.
Postimi i plotë i deputetit Haradinaj:
“Natën e 2 gushtit të 98′, pas një beteje tepër të përgjakshme në Jabllanicë, diku rreth orës 12 të mesnatës kam arritë në shtëpinë e Dajës Lahi.
I tërë fshati digjej, dukej sikur hëna po e ndriçon këtë fshat me ngjyrë të kuqe,
Hyra në shtëpi pas një kohe të gjatë dyluftimi që natyrisht ishte triumf.
Në këndin e shtëpisë shumëkatëshe që ishte bombarduar dhe po digjej, nga flakët e djeg’jës e shof një trup të copëtuar njeriu, ajo ishte gjyshja ime, nëna e Lahiut, afër saj ishte edhe gjyshja e Lahiut.
I ri dhe i pa përvojë që isha, përpos përvojës së luftës, i mblodha aq sa munda copat e gjyshës sime dhe gjyshës së Lahisë.
Pasi u nisa me shumë ushtarë të njesive elitë, në dalje të shtëpisë e takova Lahiun dhe Nazmiun. Normalisht që ishte tejet e rëndë, ju drejtova të dyve:
‘Dajë na kanë ra hise kjo farë e keqe e duhet me u mbajtë të fortë se kemi hala punë me kry.
Lufta vazhdoi deri në fund dhe prapë vazhdon.
Vetëm ata që e kanë dhënë jeten e kanë kry luftën…Të tjerët vazhdojnë’. DH” (sic.), ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, lahi Brahimaj, sot ka arrë ftesë për tu intervistuar nga Prokuroria Speciale në Hagë.
Lahi Brahimaj ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me bazë në Shtabin e Jabllanicës në komunën e Gjakovës dhe shërbeu si zëvendëskomandant në zonën e Dukagjinit për një periudhë të shkurtër si dhe ishte vartës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ramush Haradinajt, e njihej me pseudonimin “Magjupi”.
Brahimaj ishte gjykuar edhe nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ku në nëntor të vitit 2012 ishte shpallur i pafajshëm. /Telegrafi/