Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Daut Haradinaj dhe analisti Imer Mushkolaj kanë pasur disa përplasje gjatë emisionit “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini.
Haradinaj dhe Mushkolaj nuk janë pajtuar për rastin e publikimit të listës së “veteranëve të rrejshëm”.
Imer Mushkolaj ka thënë se pas dorëheqjes që ka bërë ish-prokurori Elez Blakaj, gjuha e përdoruar nga zyrtarët e AAK-së ndaj tij nuk ka qenë e pa përshtatshme.
Haradinaj i ka thënë Mushkolajt se si mund të pajtohesh me veprimet e një prokurori që le punën në gjysmë.
“Mendoj që me këtë veprim ai [Blakaj] ka merituar një kritikë të tillë…Jepni kritikë atij për sjelljet. Me të thënë të drejtën unë kam respekt për familjen e tij. Por ai djalë i ri është dorëzuar ende pa ja nisë mirë punës”, tha Daut Haradinaj.
Mushkolaj nga ana tjetër ka reaguar ndaj Haradinajt duke i thënë se “një punë e ka filluar Blakaj, pavarësisht se nuk e ka çuar deri në fund. Ai e ka bërë punën e vet, një aktakuzë ai e ka përgatitur”.
Një pikë tjetër e dabatit mes Haradinajt dhe Mushkolajt ka qenë demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.
Mushkolaj i ka thënë Haradinajt se çka do të ndodh nëse marrëveshja me malin e Zi për kufirin del të jetë në rregull.
“Çka bëhet nëse vërtetohet e kundërta. Tri vjet i kemi humbur duke protestuar e duke hedhur gaz lotsjellës? Ka shkuar një vit që është nënshkruar marrëveshja mes presidentëve dhe asgjë nuk është ndryshuar”, tha Mushkolaj, përcjell Telegrafi.
Haradinaj nga ana tjetër ka thënë se “ke pas lider që e kanë bërë marrëveshjen me Malin e Zi pa dalë në terren për të parë se ku është kufiri” dhe sipas tij kjo është njëra prej arsyeve pse “ai lider tashmë është në opozitë”./Telegrafi/