Site icon Telegrafi

Daut Haradinaj: Degradimi i Pejës do të marrë fund me 9 shkurt

Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka vizituar sot fabrikën e tekstilit Arta Tex në Pejë me pronar Gazmend Mustafa dhe të birin e tij Arbër Mustafa.

Haradinaj ka thënë se krijimi i kushteve për prodhuesit vendorë është obligim i qeverisë.

“Krijimi i kushteve për prodhuesit vendorë nuk duhet të jetë vetëm dëshirë, por obligim i qeverisë. Albini, edhe pas katër vitesh në pushtet, i ka ngulfatur ata në të gjitha aspektet, sidomos pas heqjes së taksës ndaj Serbisë. Ai ende vazhdon me premtime boshe, sikur të mos kishte qenë kurrë në krye të qeverisë”, ka thënë Daut Haradinaj.

Ai ka shtuar se degradimi i Pejës do të marr fund me 9 shkurt.

“Qytetin me të cilin krenohem e ka kthyer në një qytet të territ dhe depresionit, me mungesa elementare. Ky degradim duhet të marrë fund më 9 shkurt. Në të gjitha lagjet e këtij qyteti vërehet mungesa e dorës së shtetit. Qyteti i sportit është pa stadium dhe pa infrastrukturë elementare. Bizneset goditen përditë, pa mëshirë. Për turizmin as që bëhet fjalë – zero investime! Mjafton të shikoni rrugën për Rugovë dhe gjendjen e saj. Ligji për Parkun Kombëtar mbetet një nga ligjet më diskriminuese për banorët e zonës”, është shprehur ai.

Haradinaj ka thënë se duke votuar numrin 137, i kthehet nami që kishte dikur ky qytet. /Telegrafi/

Exit mobile version