Site icon Telegrafi

Daul: Është arritur mjaft progres, por përpjekjet asnjëherë nuk duhen të ndalen

 

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), Joseph Daul, me rastin e përvjetorit të 27 të LDK-së, ka dërguar një mesazh urimi ku thekson se EPP-ja është krenare që ka në gjirin e saj një parti si LDK-ja.

Presidenti Daul thekson po ashtu se lidershipi dhe qeverisja e mirë që kryeministri Mustafa dhe LDK-ja e kanë dëshmuar, janë fondamentale për Kosovën.

“Me rastin e përvjetorit të 27-të të partisë suaj, jam shumë i lumtur t’ju dërgoj urimet dhe përgëzimet më të mira. EPP-ja është krenare që ka në gjirin e saj një parti si LDK-ja, partia e parë në Kosovë pas rënies së komunizmit“, thuhet në telegramin e urimit.

“Që nga ajo kohë, ju e keni dëshmuar veten si një parti e përgjegjshme, duke kërkuar dialog konstruktiv dhe duke u përqendruar në zgjidhje konkrete. Në këto kohëra të vështira në të cilat po jetojmë, ju duhet të vazhdoni ta ndiqni këtë rrugë. Ju duhet të vazhdoni ta qeverisni vendin në mënyrë të përgjegjshme dhe të punoni për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, në bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tuaj. Siç e them gjithnjë, Bashkimi Evropian kurrë nuk do të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit. Ju jeni pjesë e familjes evropiane, dhe ne mezi presim t’ju urojmë mirëseardhje. Por që kjo të jetë e mundur, duhet akoma punë. Duhet të vazhdoni të jeni të përqendruar në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët tuaj, në luftimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Lidershipi dhe qeverisja e mirë që kryeministri Mustafa dhe LDK-ja e kanë dëshmuar, janë fondamentale për këtë proces“, thuhet më tej në telegram.

Daul thekson se tanimë është shënuar mjaft progres.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian hyri në fuqi më herët gjatë këtij viti; keni përparuar drejtë plotësimit të kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave; dhe Kosova ka dëshmuar rritje të fuqishme ekonomike duke e fituar besimin e investitorëve dhe të organizatave ndërkombëtare financiare Por, përpjekjet tuaja nuk duhet të ndalen asnjëherë. Puna e juaj, me përkrahjen e familjes së EPP-së, duhet të vazhdojë. Mezi pres ta vizitoj Kosovën në të ardhmen e afërt, dhe edhe njëherë ju uroj të gjitha të mirat për përvjetorin tuaj të 27-të”, shkruan presidenti i EPP-së, Joseph Daul. /Telegrafi/

Exit mobile version