Njohësi i rrethanave politike në vend dhe analisti Dastid Pallaska, përmes një postimi në rrjetin social, ka thënë se “ngadalë, por sigurt po formësohet kërkesa për mendim të ri politik, i cili mbase është mundësia më e mirë – për të mos thënë e fundit – për ndryshimin e kursit të gabuar që vendi ka marrë në mungesë të udhëheqjes së vërtetë politike”, transmeton Telegrafi.
Pallaska, që është njëri nga emrat më të përfolur për të udhëhequr një subjekt të ri politik në Kosovë, ka pohuar se formimi i një subjekti të ri nuk ka të bëjë me protagonizëm politik, por me nevojën për mendimin e ri në politikë.
Postimi i plotë i Dastid Pallaskës në Facebook:
“Është më se e qartë se ngadalë por sigurt po formësohet kërkesa për mendim të ri politik, i cili mbase është mundësia më e mirë – për të mos thënë e fundit – për ndryshimin e kursit të gabuar që vendi ka marrë në mungesë të udhëheqjes së vërtetë.
Rrugëtimin personal të secilit individ drejt mendimit të ri politik – dhe momentin kur kjo ndodhë – nuk duhet (para)gjykuar si përpjekje për protagonizëm. Kjo për faktin se ky mendim i ri politik po lind edhe për shkak të protagonizmit të pamerituar që ka degjeneruar në diktat politik.
Rrjedhimisht, hapjen e individëve ndaj mendimit të ri politik duhet ta inkurajomë kurdo që të ndodhë. Rreziku nga protagonizmi është i mbivlerësuar pasi që shenja dalluese e këtij mendimi të ri politik është se i tejkalon individët që i janë vënë në shërbim” (sic), ka shkruar Pallaska. /Telegrafi/