Një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën në verilindje të Francës, kur disa persona të armatosur të maskuar hapën zjarr në një ceremoni martese, thanë burimet policore të dielën.
Burimet sugjeruan se sulmi në qytetin verilindor të Thionville, ishte i lidhur me një qërim hesapesh mes trafikantëve të drogës, transmeton Telegrafi.
Të shtënat ndodhën në një sallë pritjeje gjatë natës të së shtunës, me rreth njëqind njerëz të pranishëm.
Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë dhe njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike për jetën. E autorët e të shtënave janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Ndodhi gjatë një dasme”, tha një burim policor.
“Një grup njerëzish dolën jashtë për të pirë duhan para sallës, dhe më pas mbërritën tre burra të armatosur rëndë dhe hapën zjarr në drejtim të tyre. Sulmuesit mbërritën me një automjet 4X4, “ndoshta një BMW”, tha burimi.
Nuk dihej menjëherë se nga vinte automjeti. Thionville ndodhet afër kufijve të Luksemburgut dhe Gjermanisë.
Policët besojnë se pas dhunës qëndronte një qërim hesapesh të lidhura me trafikun e drogës.
“Dasma nuk ishte synuar si e tillë, ishin njerëzit që ishin në dasmë”, tha burimi.
Një derë xhami e shpuar me vrima plumbash mund të shihej në vendngjarje mëngjesin e së dielës.
Në qytetin fqinj të Villerupt, të shtënat mes bandave rivale në një pikë shpërndarjeje droge lanë pesë persona të plagosur në maj 2023. /Telegrafi/