Dashuria ndërmjet Jamie Lee Curtis dhe bashkëshortit të saj, aktorit, regjisorit dhe skenaristit, Christopher Guest, ka nisur si në një komedi romantike.
Në pranverën e vitit 1984, aktorja amerikane ishte duke lexuar revistën Rolling Stone dhe në faqet e saj e pa fytyrën e aktorit që asokohe ishte 36 vjeçar.
Edhe pse deri atëherë nuk e kishte takuar kurrë, ajo i kishte thënë shoqes së saj, Debra Hill: “Ky është mashkulli me të cilin do të martohem”.
Debra, skenariste dhe producente e njohur (tashmë e ndjerë), i kishte thënë: “Ai është Chris Guest, sapo ka xhiruar një film të shkëlqyer. E njoh agjentin e tij”.
Jamie vendosi të bënte një hap të pazakontë – i telefonoi agjentit të tij, i tha se do të dëshironte të dilte me Guest dhe e la numrin e saj të telefonit, mirëpo filmbërësi nuk i telefonoi.
Disa muaj më pas, Curtis ishte duke darkuar në një restorant hollivudian me miqtë, kur i ra në sy Christopher, i cili ndodhej tri tavolina larg. Ai e përshëndeti me dore dhe ajo ia ktheu, por disa minuta më pas u largua pa asnjë fjalë.
Aktorja ishte e bindur se ai e shmangte, por një ditë më pas, ai i telefonoi dhe e ftoi në takim dhe pjesa tjetër është histori.
Mjaftuan dy muaj lidhje dhe u fejuan (gjegjësisht gjashtë muaj prej se Jamie e kishte para fotografinë e tij në revistë). Martesa e tyre ndodhi më 18 dhjetor 1984 dhe më pas i adoptuan dy fëmijë.
Edhe pse në martesën e tyre kishte shumë probleme, duke përfshirë edhe vartësinë e aktores nga alkooli, ata mbetën bashkë plot 34 vite.
E pyetur se ku qëndron fshehtësia e lidhjes së tyre, Curtis ka thënë me shaka: “Mos u ndani”, për të vazhduar: “Mund të shkruaj një libër me këshilla martesore, ndërsa do të quhej ‘Mos u largo’. Ekziston thënia ‘Qëndro në autobus, e jashtmja do të ndryshojë’. Kur ke një javë të keqe, qëndro në autobus, sepse do të shikosh përmes dritares dhe pas disa ditësh pamja do të jetë e bukur. Mendoj se ajo thënie mund të pranohet thuajse në të gjitha aspektet e jetës. Nuk jam romantike. Jam realiste. E respektoj dhe nuk dua ta braktis. /Telegrafi/