Telegrafi

Dashnorët më të mëdhenj të të gjitha kohëve (2): “Bëni dashuri e jo luftë”!

Kush i bëri për vete artistët dhe sundimtarët e kohës? Kush pinte nga kafka e të dashurës që bëri vetëvrasje? Cili rus kishte “magji” të bënte çdo femër për vete, madje sundimtaren e Rusisë? Cilën fjalë të mbretit saud e përdornin hipikët? Kush është rekordmeni i “dashurisë” në tërë historinë njerëzore?

LOLA MONTEZ (1818-1861)

Ajo ia ka arritur çdo qëllimi, falë trupit të saj. Mirëpo, megjithatë ka pasur ca rregulla të zgjedhjes, p.sh. ka refuzuar ta kalojë natën me trashëgimtarin e fronit polak, për shkak të dhëmbëve të tij artificialë. Lola ka qenë e martuar dy herë (me kompozitorin Franz Liszt dhe shkrimtarin Alexandre Dumas), ndërsa pjesën më të madhe të jetës, prej vitit 1847, e ka kaluar me mbretin Ludwig të Bavarisë, i cili asaj ia dhuron titullin e baroneshës. Lola e sillte mbretin rreth gishtit të vogël dhe kjo atij i kushton shtrenjtë: detyrohet të abdikojë, ndërsa Lola pastaj ikën në Angli dhe në fund në Amerikë. Në ditët e fundit të jetës i kushton kujdes femrave “që kanë devijuar nga rruga e drejtë”.

SARAH BERNHARDT (1844-1923)

Emri i vërtetë i Sarah Bernhardtit, aktores së njohur franceze, ishte Henriette-Rosine Bernard. Shkrimtari i famshëm Oscar Wilde, ndryshe e quante “Sara hyjnore”. Gjatë jetës së saj ajo ka pasur mbi 1,000 dashnorë, shumica e të cilëve ishin nga bota e artit. Shpesh herë natën e kalonte në arkivole, të mbuluara me lule dhe me letrat e adhuruesve.

GABRIELE D’ANNUNZIO (1863-1938)

D’anuncio ishte poet, novelist dhe dramaturg i njohur italian. Duke shënuar ndarje nga literatura tradicionale italiane e shekullit XIX, mënyra e tij e shprehjes, shkrimit dhe gjuhës, përcillej me kritikë të madhe nga autorë të shumtë të kohës. Novelat e tij kishin elemente të korrupsionit, snobizmit dhe skandaleve. Gjatë Luftës së Parë Botërore ishte aktiv për ta kthyer mendjen e publikut kah aleatët. Në vitin 1919 udhëheq një grup të vullnetarëve për të pushtuar portet dalmatine. Nga D’Anuncio pas Luftës së Parë Botërore krijohet figura e një heroi nacional, por më vonë nga ndikimi i madh i Friedrich Nietzsches, bëhet frymëzues i fashizmit italian. Gabriel D’Anuncion e kanë urryer, siç thoshte ai vetë: “1,000 burra të tradhtuar”. I bindur se “ushtari i mirë gjithmonë duhet të jetë i gatshëm për luftë”, në një kuti që i ka takuar Napoleon Bonapartes tërë kohën mbante prezervativ. D’Anuncio ka fjetur në jastëkët e mbushur me flokët e të dashurave të tija, ndërsa venën e pinte nga kafka e një vajze që kishte vrarë veten për të.

GRIGORI YEFIMOVICH RASPUTIN (1871-1916)

Ndonëse ka jetuar në kohërat moderne, Rasputinit i janë veshur karaktere të ndryshme mistike. Ai kishte ndikim të madh tek mbretëresha ruse Aleksandra, gruaja e Carit Nikollai i II-të. Për Rasputinin thuhet se kishte aftësi mbinatyrore dhe gjithnjë përfitonte nga takimet dhe bisedat e tij politike dhe klerike. Rasputini, djali analfabet i një bujku, kishte reputacionin e njeriut të “shenjtë”. Pasi me “aftësitë” e tij arrin të shërojë djalin e mbretëreshës nga hemofilia, ai bëhet një ndër njerëzit më të kërkuar në pallatin mbretëror. Rasputini si djalosh i ri fshatar kishte reputacionin e njeriut të çuditshëm, të një “mëkatari” që kishte aftësi ta bënte cilëndo femër për vete. Keqpërdorimi i aftësive të tij, në radhë të parë mashtrimi, ndikimi dhe dashuritë që ai i kishte me gratë e aristokratëve rusë, në mesin e të cilave ishte madje edhe mbretëresha Aleksandra, bëri që ai të vritet nga një grup aristokratësh. Por, se sa i çuditshëm dhe misterioz ishte ai, dëshmon edhe e dhëna se të gjitha tentimet e vrasjes së tij me helmim dështojnë. Rasputini vritet me armë dhe nga frika e ringjalljes hidhet në lumin Neva.

MATA HARI (1876-1917)

Emri i vërtetë i Mata Harit, valltares së njohur holandeze, ishte Margaretha Geertruida “Margreet” MacLeod. Gjatë Luftës së Parë Botërore kishte kontakte me zyrtarët e lartë gjermanë, por edhe me ata të aleatëve. Për shkak të sjelljeve brutale të burrit të saj të parë, Mata Hari i ka urryer meshkujt, por seksin më së shumti e shfrytëzonte për këmbime të informatave për çka edhe do ekzekutohet më 1917 nga ushtria franceze.

MBRETI ABDUL AZIZ IBN SAUD (1880-1953)

Abdulaziz ibn Abdul Rahman ibn Faisal ibn Turki ibn Abdullah ibn Muhammad Al Saud, ishte mbreti i parë i Arabisë Saudite. Babai i tij ishte sulltan i Nejdit. Në vitin 1891 një grup rivalësh pushtojnë Riadin, kryeqytetin Nejdit dhe Ibn Saudi me babanë e tij detyrohen të shpërngulen. Në viti 1902 Ibn Saudi kthehet në Riad dhe ringjall mbretërinë e tij. Deri në vitin 1921 tërë Arabia qendrore ishte në sundimin e tij. Në vitin 1924 ai pushton Hejazin, të cilin në vitin 1932 e bashkon me Nejdin në shtetin e ri të Arabisë Saudite. Prej moshës 11 vjeçare e deri në vdekje, mbreti Ibn Saud ka “konsumuar” nga tri gra në ditë. Kjo nuk vlente vetëm në kohërat e luftës. Ndoshta nga kjo rrjedh edhe motoja e famshme hipike: “Bëni dashuri e jo luftë”!

MAE WEST (1892-1980)

Mary Jane “Mae” West është një prej aktoreve më të njohura amerikane, autore e shumë dialogëve provokativë në filmat e saj. Në pyetjen e një gazetari, se si i shkruan ajo memoaret, aktorja legjendare e Holivudit u përgjigj: “Në krevat. Aty lindin veprat e mia më të mëdha”. Nuk dihet saktësisht numri i dashnorëve të saj, por konsiderohet si një ndër “aktivistet” më të mëdha në këtë fushë. Në memoaret e saja ajo ka përshkruar kontaktin me njëfarë Tedy, i cili ka zgajtur jo më pak se 15 orë.

BRIGITTE BARDOT (1934-…)

Aktorja e njohur franceze, popullaritetin më të madh e arrin me rolet provokative në filmat e viteve ’60 të shekullit të kaluar. Reputacioni i saj prej seks simboli afirmon më shumë se kurdo herë më parë kinematografinë franceze. Në një intervistë që Brigitte Bardot e ka dhënë në moshën 40-vjeçare, thotë se seksi atë e ka interesuar prej moshës 20-vjeçare. Prej atëherë, siç thotë ajo, çdo natë e jetës së saj ishte e mbushur me seks.

REKORDERI ANONIM (1900-?)

Pas studimeve dhjetëvjeçare të jetës seksuale amerikane, seksologu i njohur Alfred Kinsey, në fakt profesor i zoologjisë, deklaron se një njeri normal brenda javës bën 2.3 herë dashuri. Mirëpo, ai në studimin e tij cek se ka hasur një “rast” i cili brenda 30 viteve të jetës, 52,000 herë ka bërë dashuri. Pra, brenda javës 33.1 herë. /Telegrafi/