Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DASH) i ka dërguar një letër organizatës politike të financuar nga Elon Musk, duke e paralajmëruar se një donacion prej 1 milion dollarësh mund të shkelë ligjin federal, sipas mediave amerikane që citojnë burime të informuara për këtë çështje.
Kjo letër, nga zyra për integritetin publik e Departamentit të Drejtësisë, e cila merret me hetimin e shkeljeve të mundshme të ligjit zgjedhor, i është dërguar organizatës politike të mbështetur nga miliarderi.
Musk, i lindur në Afrikën e Jugut dhe një mbështetës i kandidatit republikan për president, Donald Trump, njoftoi të shtunën në një tubim elektoral në Pensilvani se do të dhurojë 1 milion dollarë çdo ditë deri në ditën e zgjedhjeve, për këdo që firmos online peticionin në mbështetje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, shkruan reuetrs.
Gjatë fundjavës, ai u dorëzoi çeqe prej 1 milion dollarësh dy individëve, një burri në Harrisburg dhe një gruaje në Pittsburgh.
Elon Musk, i renditur në krye të listës së njerëzve më të pasur në botë sipas revistës “Forbes”, deri më tani ka dhënë të paktën 75 milionë dollarë për organizatën politike “America”, sipas dokumenteve federale, duke e bërë atë një kontribues të rëndësishëm në përpjekjet e Trumpit për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Ndryshe, Trump dhe kandidatja demokrate, Kamala Harris do të mund të mësojnë fatin e tyre se kush do të bëhet president i ri i SHBA-së më 5 nëntor (e martë), kur edhe do të zhvillohen zgjedhjet e reja. /Telegrafi/