Palestra “Karagaçi” ishte mbushur si kurrë më parë me rreth 3000 shikues, ndërsa nuk mungoi asnjëherë përkrahja konstante e Shqiponjave të Pejës.
Çereku i parë filloi me një ritëm të shpejtë të të dyja palëve, teksa Teo Simovic dhe Dardan Berisha dalloheshin për skuadrat përkatëse. Edhe pse më shumë ishte lojë nervash, më efikas u treguan bardhekaltërit të cilët u shkëputën në rezultat dhe e mbyllën çerekun me tre pikë epërsi, 14-17.
Çerekun e dytë bardhekaltërit e nisën shumë më mirë me një ofensivë të shpejtë duke i zënë në gjumë pejanët, të cilën luanin pa ide. Dardan Berisha edhe një herë dëshmoi pse është lojtari më i mirë kosovar me trepikëshat e tij që godisnin sikur raketa nga largësia. E këtij të fundit iu bashkëngjit edhe Edmond Azemi me dy shënime të njëpasnjëshme për ta mbyllur pjesën e parë me 13 pikë epërsi, 26-39.
Sigal Prishtina nuk e ndali hovin e saj as në çerekun e tretë teksa në një moment të lojës arritën ta çojnë epërsinë deri në 21 pikë, mirëpo në skenë u shfaq Super-Samiri i cili me një depërtim dhe një trepikësh i riktheu shpresat të pranishmëve në palestër dhe lojtarëve të tij ua ngriti moralin. Pejanët për dy minuta u kthyen furishëm në lojë dhe e zvogëluan disavantazhin deri në 12 pikë, por këmbët ua preu Dardan Berisha me një trepikësh dhe Kendrick Jones me një depërtim për të shkuar në çerekun e katërt me 15 pikë epërsi në të mirë të tyre.
Në çerekun e katërt Peja veçse ishte dorëzuar dhe e kuptoi se nuk mund të bënte ndonjë mrekulli për ta rikthyer rezultatin në anën e tyre, ndërsa Berisha në anën tjetër vazhdoi me paraqitjen e tij të magjishme, me të cilën fitoi edhe duartrokitjet e tifozëve të pranishëm në sallë. Epo, në fund të fundit ai është krenaria e Pejës, dhe të gjithë duhet të krenohen me të. Ndeshja u përmbyll me 15 pikë epërsi, 65-80.
Me këtë fitore, Sigal Prishtina ka marrë kreun e Ligës Ballkanike me 21 pikë, po aq sa ka edhe Levski në pozitën e dytë. Ndërsa, Peja ngritët në pozitën e gjashtë me 19 pikë.
Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës: | ||
1 | Dardan Berisha | 31 pikë |
2 | Antabia Waller | 16 pikë |
3 | Edmond Azemi | 15 pikë |
4 | Kendrick Jones | 8 pikë |
Koshashënuesit më të mirë të Pejës: | ||
1 | Samir Shaptahu | 19 pikë |
2 | Teo Simovic | 15 pikë |
3 | George Odufuwa | 14 pikë |
4 | Frederick House | 7 pikë |
/Telegrafi/