Presidenti i Federatës së futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe Agron Selmi nga AS-ART & Event, mbajtën një takim me përfaqësuesit e grupeve të tifozerive me qëllim edhe ky segment të jetë funksional dhe në përkrahje të përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen kundër Haitit që do të zhvillohet më 5 mars në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.
“Jam i vetëdijshëm se ka mendime që të kemi vetëm një kombëtare dhe të gjithë do ta dëshironim këtë gjë, por realiteti ynë është ndryshe, sepse Kosova tashmë është shtet me të gjitha atributet, madje për këtë janë sakrifikuar mijëra të reja dhe të rinj së këndejmi edhe në po bëjmë pjesën tonë të sportit dhe tash kemi një përfaqësuese që do të na përfaqësojë dhe kërkojë nga ju që të jeni unikë dhe në mbështetje të saj të jeni në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë me 5 mars. Unë ju ftojë që t’i leni anash divergjencat që mund të keni ndonjëherë dhe aty të jeni si një trup”, u është drejtuar Vokrri.
Përfaqësuesit e tifozerive kanë falënderuar kryetarin Vokrri dhe kanë premtuar që aty do të jenë bashkë të gjithë pa dallim të ngjyrave që kanë si grupe të tifozëve. Në fund përfaqësuesit e pranishëm, të tifozerive “Torcida” na Mitrovica, “Skifterat” nga Gjilani, ”Intelektualët” nga Gjilani, “Ujqit” nga Ferizaj, “Shqiponjat” nga Mitrovica, “Shqiponjat e zeza” nga Skenderaj, Arpaxhikët” nga Prizreni pas diskutimeve konstruktive u pajtuan që grupi i tifozëve që do ta përkrahë përfaqësuesen e Kosovës të emërtohet “Dardanët”, një grup që ka ekzistuar edhe më herët.
Nga ana e tij Agron Selmi u ka bërë të njohur të pranishmëve se pjesa verore është e rezervuar për ta dhe se biletat në këtë pjesë do të kushtojnë nga 3 euro si dhe për secilin grup të tifozerisë do të ndahen nga 20 bileta gratis. E di që mbase mund të jenë pakëz të shtrenjta biletat për juve, por jemi përpjekur të gjejmë çmimin më të volitshëm duke marrë për bazë edhe koston e madhe të kësaj ndeshjeje. /Sporti1/Telegrafi/