Kombëtarja e Kosovës U-19 (vajzat) ka shënuar fitore bindëse, me rezultat 6:0, në miqësoren e dytë kundër Malit të Zi, që u zhvillua sot në Kampin Nacional në Hajvali. Për dallim nga ndeshja e parë kur Dardanet e udhëhequra nga Kushtrim Munishi nuk u treguan efikase në rastet e krijuara, kësaj radhe ato ishin në nivelin e duhur dhe arritën me meritë t’i gëzohen fitores.
Që nga fillimi vashat dardane e dominuan lojën, teksa rezultatin arritën ta zhbllokojnë në minutën e 10-të, me golin e shënuar nga Flondra Behrami. Loja e mirë dhe shumë më efikase vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur rrugën e golit e gjetën edhe Elma Kadriu (59′), Albulena Guri (65′), Rreze Gashi (79′, 90′) dhe Aurona Racaj.
“Në lojën e parë na ka munguar efikasiteti. Edhe aty kemi dominuar por nuk kemi pas efikasitet. Këto dy ditë kemi punuar në aspektin psikik të futbollisteve që kur të ndodhen para portës të jenë më të qeta dhe kjo ka sjellë rezultat. Golat e sotëm kanë ardhë falë lojës së mirë të futbollisteve tona. Ato kanë zbatuar në përpikëri detyrat e parashtruara”, ka theksuar pas ndeshjes përzgjedhësi Kushtrim Munishi.
Këto dy miqësore i kanë shërbyer për ta përgatitur sa më mirë ekipin për ndeshjet kualifikuese të muajit nëntor, të cilat do të zhvillohen në Prishtinë, kundër Bullgarisë dhe Gjibraltarit.