Kosova do të kthehet në fushë në mesjavë ndaj Irlandës së Veriut, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Pas humbjes ndaj Greqisë, entuziazmi ka rënë paksa, por Dardanët shkruajnë se po punojnë shumë që ndeshja të ketë organizim të mirë.
Ata kanë mesazh edhe ndaj disa lojtarëve, që sipas Dardanëve, nuk po e japin maksimumin në fushë.
Më poshtë postimi i Dardanëve pa ndërhyrje:
S‘ka kohë për t‘u mërzitur. Ka nevojë për rikthesë!
Të enjten, në një datë të shenjtë siç është ajo e 9 qershorit, ku përkujtojmë përvjetorin e vdekjes së njeriut simbol të futbollit tonë, Fadil Vokrrit, luajmë ndeshjen e radhës kundër Irlandës së Veriut mu në stadiumin që mban emrin e tij.
Gjenerata të tëra e kanë pasur ëndërr ta shohin topin të rrokulliset lirshëm për ta përfaqësuar vendin tonë. Një fat të tillë na ra hise ta shijojmë tek viteve të fundit.
Pesha e ndeshjeve të Kosovës ka kuptim më të gjerë sesa thjesht një lojë futbolli që zgjat 90 minuta.
Kosova duhet konceptuar si përgjegjësi e privilegj, jo përfitim e neglizhencë.
Koha e fundit t’i thërrasim mendjes dhe ndërgjegjës të gjithë, pa anashkaluar askënd, as tifozët, por në veçanti disa futbollistë. Pra, e përfshijmë edhe veten në vetëkritikë.
Grumbullimet e Kosovës nuk janë ekspeditë dhe ekskursion, por një periudhë nga e cila kërkohet më shumë përkushtim e djersë sesa demagogji e arsyetime.
Dhe, po. Jemi duke punuar. Nuk na kanë demoralizuar rrethanat që u krijuan në ndeshjen e fund për ta lënë pas dore organizimin për ndeshjen që po vjen.
Për lojtarët një mesazh i vetëm: hyni në fushë për interesin e Kosovës, jo për ego personale.
Dashuri që nuk shterron është Kosova!
/Telegrafi/