Grupi i tifozëve të Kosovës “Dardanët” tashmë është bërë me shtëpi të vet. Mbrëmja e kësaj të marte ka qenë e veçantë për “Dardanët”, pasi është bërë hapja solemne e ‘Fan-Club’-it të tyre, i cili do të jetë një vendtakim për tifozët e këtij grupi dhe jo vetëm, por njëherësh do të jetë edhe hapësirë ku në të ardhmen do të koordinohen punët rreth aktiviteteve të këtij grupi.
Në hapjen solemne të këtij ‘Fan-Club’-i morën pjesë mysafirë të shumtë, ndërsa krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi, ishte edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, por edhe ish-deputetë e personalitete tjera të njohura nga jeta politike, shoqërore e sportive.
Presidenti Ademi me këtë rast kryetarit të “Dardanëve”, Lulzim Berisha ia ndau flamurin me logon e FFK-së dhe i përgëzoi të gjithë tifozët që janë pjesë e këtij grupi për hapjen e këtij ‘Fan-Club’-i dhe për dizajnimin e tij në mënyrë të shkëlqyeshme”.
’Dardanët’ me animin e tyre korrekt janë bërë shembull i tifozerisë jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë dhe falë organizimit të tyre të mrekullueshëm ne si federatë deri më tash nuk jemi gjobitur asnjëherë nga UEFA. Unë këtu ndihem si në shtëpinë time, ngase kam qenë njëri nga iniciatorët e krijimit të këtij grupi dhe vërtetë të gjithë që kanë kontribuuar dhe janë përfshirë në këtë grup të tifozëve janë njerëz që e duan sportin dhe në çdo ndeshje kanë treguar kreativitet dhe ç’është më e rëndësishmja kulturë të lartë sportive. Kjo ka bërë që përveç sukseseve të ekipit kombëtar që kudo po vlerësohet si storie e suksesit, edhe tifozët ‘Dardanët’ të lavdërohen kudo ku janë paraqitur. Besoj fuqishëm se edhe në të ardhmen grupi i tifozëve ‘Dardanët’ do të dijë të na befasojë me gjëra të mira, derisa i inkurajoj që të vazhdojnë të jenë afër ekipeve kombëtare, jo vetëm në futboll, por në të gjitha sportet. Ne si FFK do të jemi vazhdimisht në përkrahje të tyre dhe do të vazhdojmë të koordinohemi që të kemi spektakël në tribuna sa herë që luan Kosova”, ka theksuar presidenti Ademi.
Ndërkohë, kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka falënderuar në emër të të gjithë anëtarëve të gjitha federatat sportive dhe institucionet për përkrahje, e në veçanti FFK-në. “Për të arritur deri këtu ku jemi sot nuk ka qenë e lehtë. Secili prej nesh e ka dhënë maksimumin për çdo ndeshje dhe deri më tash kemi treguar vlerat e popullit tonë. Ne si ‘Dardanë’ kemi hasur në përkrahje të institucioneve dhe federatave, por s’do mend se rolin më të madh e ka pasur FFK-ja, që çdo herë na ka mbështetur fuqishëm, për çka e falënderojmë presidentin Ademi dhe të gjithë ata që në një apo formë tjetër na kanë përkrahur”, ka thënë prijësi i ‘Dardanëve’, Lulzim Berisha.