Telegrafi

Dardan Molliqaj zgjedhet kryetar i ri i PSD-së

Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot mbledhje të Kuvendit, me ç’rast u votua për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit për media, i propozuari Dardan Molliqaj është zgjedhur kryetar i PSD-së.

“Fillimisht u votua që të rritet numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues në 156, dhe më pas u propozuan dhe u votuan anëtarët e rinj të këtij organi të partisë. Në këtë organ u aplikua plotësisht edhe kuota gjinore e votuar më herët, 50:50. Në pikën tjetër të rendit të ditës delegatët votuan për zgjedhjen e kryetarit. I propozuari Dardan Molliqaj, përmes votimit të fshehtë mori 83.7 për qind të votave për, duke u zgjedhur kështu kryetar i PSD-së”, thuhet në njoftimin e PSD-së, përcjell Telegrafi.

Zgjedhja e tij vjen menjëherë pasi që kryetari i deritashëm i PSD-së, Shpend Ahmeti ka dhënë dorëheqje.

Lexo po ashtu Shpend Ahmeti jep dorëheqje nga PSD

Ahmeti përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se jep dorëheqje nga të gjitha strukturat e saj.

“Meqenëse tani kanë kaluar më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kemi pas kohë si Parti Socialdemokrate që të vlerësojmë rezultatin zgjedhor dhe arsyet për rezultatin zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe kemi diskutuar në kryesi disa herë. Përderisa janë diskutuar arsye të ndryshme, ka qenë një emërues i përbashkët i analizës, e ajo ka qenë që nuk drejtojmë gishta te asnjëri individualisht sepse të gjithë kemi pas përgjegjësi për vendimet e marra e për të cilat besojmë se kanë qenë të arsyeshme e të drejta”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/