Një fotografi e bërë 17 vjet më parë e sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin, dhe një grup shokësh, e publikuar në rrjetin social Facebook, është bërë lajmi i mbrëmjes të premten mbrëma.
Fotografia është publikuar në rrjetin social Facebook nga një person i quajtur, Smajl Zuka, i cili në përshkrimin e fotos shkruan – me shumë gabime drejtshkrimore – se Molliqaj asokohe ishte kryetar i Forumit të PDK-së në fshatin Beleg të Deçanit, prej nga edhe është Molliqaj.
Se Molliqaj kishte këtë rol në strukturat lokale të PDK-së në Deçan e ka pohuar për Klan Kosovën edhe nënkryetari i PDK-së në këtë qytet, Xhevdet Hasametaj.
“Po, Molliqaj ka qenë pjesë e strukturave të rinisë së PDK-së në nëndegën në Beleg”, ka thënë Hasametaj.
Por, këtë e ka demantuar një nga themeluesit e PDK-së në komunën e Deçanit, Ismet Neziraj.
Ai deklaroi për Klan Kosovën se Molliqaj kurrë s’ka udhëhequr me ndonjë strukturë të PDK-së në Deçan.
“Molliqaj s’ka qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë strukture udhëheqëse as në Deçan e as në Beleg”, ka pohuar Neziraj.
Vet Molliqaj e ka mohuar lajmin në llogarinë e tij në Facebook, ndërsa në një komunikim me shkrim me Klan Kosovën ka pohuar se si e vërtetë duhet të merret deklarata e Nezirajt, kurse për Hasametajn tha se as që e njeh se kush është.
“Nuk e njoh këtë, është shpifje”, pohoi Molliqaj.
Ndërsa në Facebook ka shpjeguar rrethanat e shkrepjes së fotografisë.
“Koalicioni i krimit dhe klani pronto, nga frika e madhe e humbjes paskan filluar me bë mashtrime me një foto që është bërë në vitin 2000-2001, gjatë kohës kur unë isha nënkryetar i gjimnazit në Deçan, dhe ku për të takuar nxënësit dhe mësimdhënësit kishte ardhur Hashim Thaçi”.
“Në këtë kohë kam qenë 15 vjeç dhe asnjëherë nuk kam qenë anëtar i PDK dhe as pjesë e asnjë strukture të asnjë subjekti tjetër politik. Pres që themeluesit e PDK-së në Deçan ta demantojnë këtë të pavërtetë”.
Ndërsa për personin që e ka publikuar foton, Smajl Zukajn, Molliqaj ka shkruar se “është vëllai i Arif Zukajt i cili ka qenë një nga keqpërdoruesit e fondit ‘Vendlindja Thërret’ në Gjermani dhe ka vjedhur dhjetra mijëra euro nga ky fond”. /Klan Kosova/