Site icon Telegrafi

Dardan Berisha: Do ta mposhtim Maqedoninë dhe Estoninë

Kapiteni i ri i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, në konferencën për shtyp të sotme, të organizuar nga FBK para ndeshjeve parakualifikuese ndaj Maqedonisë dhe Estonisë, ka thënë se Kosovës i nevojitet përkrahja e publikut si vendas.

Ai ndër të tjera ka thënë se beson që reprezentacioni i Kosovës mund t’i mposht si vendas edhe Maqedoninë edhe Estoninë, por gjithnjë duke llogaritur në përkrahjen e lojtarit të gjashtë, adhuruesve të Kosovës.

“Jemi përgatitur mjaft mirë. Besoj që ndeshjet miqësore na kanë zhvilluar dhe ndihmuar të shohim për së afërmi formën tonë,” ka thënë fillimisht Berisha.

“Pas ndeshjeve miqësore jemi duke vazhduar përgatitjet intensivisht në Kosovë, në veçanti për ndeshjen ndaj Maqedonisë,” ka vazhduar ai. “Shpresoj dhe besoj se do të kemi përkrahje maksimale nga tifozët se ata janë lojtari i gjashtë yni. Jam shumë optimist se me këtë ekip dhe me ndihmën e shikuesve do të mposhtim Maqedoninë dhe më pas edhe Estoninë. Këtu e kam fjalën për ndeshjet si vendas, e më pas do të mendojmë edhe takimet si mysafirë,” ka përfunduar Dardani konferencën për shtyp, që u mbajt në zyret e FBK-së sot.

Kosova gjendet në Grupin C parakualifikues për Botërorin Kina 2019, ndërsa duhet që së paku të zë njërin nga dy vendet e para për të shpresuar më tutje. Ndeshja e parë e Kosovës është ndaj Maqedonisë, që zhvillohet në Prishtinë më 2 gusht me fillim nga ora 20:00. /borozani/

Exit mobile version