Telegrafi

Dardan Berisha shpallet ‘Sportisti i Vitit’

(Foto: Facebook/KOK)

Çmimi i Sportistit të Vitit për herë të parë shkoi tek ylli i basketbollit tonë, Dardan Berisha. Ai ishte njëri prej më të dalluarve në dy fitoret e skuadrës tonë të basketbollit në ndeshjet ndaj Islandës dhe Luksemburgut.

Basketbollisti kontribut të madh ka dhënë edhe për klubin e vendlindjes së tij, Peja, të cilës ia ktheu shkëlqimin, derisa vazhdon të mbetet lojtari më i dalluar, jo vetëm në Superligën e Kosovës – thuhet në njoftimin e Komiteti Olimpik i Kosovës.

Ndërkohë, njoftimin për çmimin e Berishës dhe skuadrës përfaqësuese të basketbollit e ja bërë edhe Federata e Basketbollit të Kosovës përmes publikimeve në faqen zyrtare.

“Falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës për çmimin, falënderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës që na përkrah gjithmonë, familjen time për mbështetje dhe tifozët tanë”, ka thënë Berisha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

“Basketbollistët e Kosovës kanë fituar çmimin “Kombëtarja e Vitit” në konkurrencën e meshkujve, e shpallur nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Djelmoshat tanë, të udhëhequr nga Dardan Berisha, Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati e Gëzim Morina, ia dolën që gjatë vitit 2020 të shënojnë dy fitore ndaj Islandës dhe Luksemburgut në muajin shkurt, duke e nisur kampanjën parakualifikuese për Kupën e Botës 2023 në mënyrën më të mirë”, shkruan mes tjerash në faqen e FBK-së. /Telegrafi/