Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) i përkujton të gjithë personat juridikë dhe fizikë të cilët deri në dhjetor të vitit 2024, kanë realizuar qarkullim të përgjithshëm më të lartë se 2.000.000 denarë nga kryerja e qarkullimit të të mirave dhe shërbimeve, se kanë për detyrë që të parashtrojnë Formular për regjistrim për qëllim të tatimit të vlerës së shtuar (formulari TVSH-01).
Nëse si person fizik merrni me qira hapësirë afariste në vend, ofroni shërbime menaxheriale, juridike, ekonomike, inxhinierike, artizanale, jepni orë private për nxënës dhe studentë, realizoni të ardhura nga shitja e produkteve bujqësore ose kryeni qarkullim tjetër dhe në vitin 2024 keni realizuar qarkullim mbi 2.000.000 denarë duhet të regjistroheni për qëllimet e TVSH-së, theksojnë nga DAP.
Qarkullim i përgjithshëm për qëllimet e TVSH-së është qarkullimi të cilin e ka bërë tatimpaguesi gjatë vitit në bazë të shitjes së të mirave dhe shërbimeve.
Në qarkullim të përgjithshëm nuk hyn qarkullimi i cili është liruar nga TVSH pa të drejtë të heqjes së tatimit paraprak, si për shembull: marrja me qira e objekteve banesore dhe ndërtesa për jetesë, shërbime të sigurimit dhe risigurimit, shërbime shëndetësore, shërbime për mësimin e gjuhëve të huaja, shërbime të qendrave kompjuterike, transport ndërkombëtar i udhëtarëve, etj.
Gjithashtu në qarkullim të përgjithshëm nuk hyn edhe qarkullimi i cili kryhet ndaj tatimpaguesve të huaj dhe i cili nuk i nënshtrohet tatimit me TVSH si për shembull: kryerje e shërbimeve konsulentë, avokatie, TI dhe shërbime të tjera ndaj tatimpaguesve të huaj.
Nëse tatimpaguesi ka kryer aktivitetin e tij vetëm në një pjesë të vitit kalendarik, qarkullimi total vjetor për qëllime të TVSH-së llogaritet në atë mënyrë që merret qarkullimi i përgjithshëm i realizuar për muajt kur keni kryer aktivitetin, duke e pjesëtuar me numrin e muajve të funksionimit dhe shumëzuar me dymbëdhjetë me çka fitohet qarkullimi i përgjithshëm vjetor”, shpjegojnë nga DAP.
“Për shembull: Nëse keni lidhur marrëveshje për qira të hapësirës afariste me fillim nga data 01.07.2024, ndërsa qiraja mujore është 200.000 denarë, llogaritja për qarkullim të përgjithshëm vjetor për qëllime të regjistrimit për TVSH është si në vijim:
Të ardhura bruto për 6 muaj: 1.200.000 denarë
Të ardhura bruto mujore:1.200.000 / 6 muaj=200.000 denarë
Të ardhura të përgjithshme vjetore: 200.000 /12 muaj=2.400.000 denarë
Në këtë rast tatimpaguesi ka për detyrë të regjistrohet për qëllimet e TVSH-së.
Formular për regjistrim për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar, (formulari TVSH-01), mund të dorëzohet edhe nga tatimpaguesit që dëshirojnë të regjistrohen vullnetarisht. Formularët për regjistrim në TVSH dorëzohen jo më vonë se 15 janar 2025, në mënyrë elektronike në http://etax.ujp.gov.mk/eTaxServices/, personalisht në njësinë organizative të DAP ose me postë. Personat fizikë që janë tatimpagues të TVSH-së, me qëllim të nënshkrimit dhe dorëzimit elektronik të formularëve të TVSH-së, duhet të pajisen edhe me një certifikatë digjitale në një token USB.
Lidhur me ata të cilët janë regjistruar për TVSH ndërsa të cilët nuk kanë realizuar qarkullim mbi dy milionë denarë në vitin e kaluar kalendarik, ndërsa te të cilët ka skaduar të paktën periudhë trevjeçare e regjistrimit për qëllimet e TVSH-së, mund të parashtrojnë Formular për revokim të regjistrimit të tatimit të vlerës së shtuar.
Gjithashtu, edhe tatimpaguesit të cilët në dy vitet paraprake kalendarike kanë parashtruar deklarata tatimore me qarkullim të përgjithshëm më të vogël se dy milionë denarë dhe të cilët në çdonjërin prej dy viteve të kaluara kalendarike nuk kanë treguar tatim paraprak për heqje, mund të parashtrojnë Formular për revokim të regjistrimit për tatimin e vlerës së shtuar (formulari TVSH -01B).
Deklarata për revokim të regjistrimit për TVSH (formulari TVSH -01B) parashtrohet më së voni deri më 15 janar të vitit 2025 në mënyrë elektronike në http://etax.ujp.gov.mk/eTaxServices/ personalisht në njësinë më të afërt organizative të DAP ose me postë.
Njëherësh, përkujtojmë se edhe Drejtoria e të Ardhurave Publike mundet zyrtarisht të bëjë ndërprerjen e regjistrimit për TVSH nëse konstaton se:
– në vitin e kaluar kalendarik, tatimpaguesi ka dorëzuar formular tatimor pa deklaruar tatimin në qarkullim dhe pa deklaruar tatimin e mëparshëm për zbritje;
– në dy vitet e mëparshme kalendarik, tatimpaguesi ka paraqitur formulare tatimore pa deklaruar tatimin mbi qarkullimin e bërë, me përjashtim të rasteve kur në të njëjtat periudha në formularët tatimor deklaron vetëm qarkullimin e përjashtuar nga tatimi me të drejtë zbritje ose tatim të mëparshëm nga qarkullimi i mallrave të investimit që i bëhet tatimpaguesit ose i importuar prej tij;
– tatimpaguesi nuk mund të gjendet në adresën e regjistruar dhe në adresën për kryerjen e veprimtarive afariste
– tatimpaguesi nuk ka paraqitur formular tatimor për të paktën dy periudha tatimore për tatimpaguesit mujorë ose tremujorë;
– te tatimpaguesi është identifikuar më parë se ka kryer evazion fiskal.
Për më shumë informacione, personat juridikë dhe fizikë mund të paraqiten në Qendrën e Kontaktit të DAP në: info@ujp.gov.mk