Site icon Telegrafi

D’annunzio, qen bir qeni im…

Nga: George Seldes (shkëputur nga libri, “Dëshmitari i një shekulli”)
Përktheu: Meri Lalaj

Gibbons, një irlandez, i cili nuk kishte qenë kurrë në Irlandë, i pëlqyen aq shumë shkrimet e mia për Irlandën sa që e ndërpreu vizitën time të shkurtër në Londër, më bëri korrespondent shëtitës, puna më e mirë e më të mirave në të gjithë Europën. Ai më telegrafoi në fund të vjeshtës 1919: Shko në Fiume, intervisto D’annunzion. Unë vajta.

Një nga mitet më të mëdha të kohës tonë, ndoshta i caktuar nga fati për të jetuar për breza të tërë, me nderimet (apo me çnderimet) është Mussolini me fillimin e Fashizmit. Fakti është se romancieri me mendjen poetike dhe romantike, Gabriele D’Annunzio, organizoi Legjionin Dalmat, vizatoi uniformat, paraqiti këmishat e zeza, ringjalli përshëndetjen ala romane dhe shpiku tërë fashizmin përveç terrorizmit dhe gjakderdhjes (kur u formua Fashio e parë në Milano, Mussolini nuk ishte njëri nga themeluesit: karta e tij e partisë mbante numrin 7).

Me Legjionin e tij Dalmat të këmishëzinjve, D’Annunzio “zaptoi” një qytet jugosllav tashmë i pushtuar prej trupave të rregullt të Ushtrisë Italiane. “Zaptimi” kish të bënte me një bashkëbisedim të tijin me një gjeneral të quajtur Pitaluga, i cili e përshëndeti dhe iku në shtëpi. Lidhja e Kombeve e kërcënoi se do ta bombardonte D’Annunzion, me një luftanije, të cilën nuk e kishte dhe bota europiane i lexonte gazetat dhe qeshte.

Nga viti 1919, ky njeri dikur djalosh i bukur, ky i ri me flokë të derdhur dhe veshje të përkorë, ky i vetëshpallur dashnor i madh, ky D’Annunzio, gjeniu lëvdatëmadh tani ishte veç një tullac, një plak i ndyrë lapërdhar, ndonëse i veshur me një uniformë të shkëlqyer mareshalli, duke u mburrur përqark si ndonjë kacagjel me hap të shtrirë posi Napoleon. Ai e nxirrte veten në dukje thuajse çdo ditë, duke kaluar në revistë trupat e tij. Po ky njeri i rekomandoi botës politike ballkonin prej nga duhej të fliste.

Falë një takimi të pashmangshëm në sallën e pushimit të të vetmit hotel të asaj kohe në Fiume, nuk kish turistë dhe pothuajse nuk kish fare ushqim, shumë shpejt u miqësova me një njeri, i cili e quante veten Togeri Henry Furst, banor në Samit Avenju, Njuark, Nju Xhersi, tani sekretar vullnetar i D’Annunzios. Ai më rrëfeu historinë e “zaptimit” dhe më rregulloi një takim për intervistë.

D’Annunzio më priti në pallatin e guvernatorit, në një dhomë të mbushur plot e përplot me perde të gjata të purpurta, statuja të dorës së dytë, piktura të dorës së tretë, tapiceri të trëndafilta, me shumë karrige, një kanape e stërmadhe dhe me shumë nënkresa.

Pyetja e parë që i bëra ishte, çfarë do të bëni në qoftë se Presidenti Wilson dhe Lidhja e Kombeve do të dërgojnë kundër jush një flotë? Unë flisja me një frëngjishte të keqe; ai u përgjigj në ato që ma rrok mendja se janë gjashtërrokëshat daktilë:

“Të gjithë rebelët e të gjitha racave duhet të mblidhen nën flamujt tanë dhe të paarmatosurit do të armatosen. Dhuna do t’i kundërvihet dhunës. Do të jetë një kryqëzatë e re e të gjithë kombeve të varfër dhe të skamur, e të gjithë njerëzve të varfër e të gjithë njerëzve të lirë. Kundër kombeve që zotërojnë pushtet dhe grumbullojnë pasuri. Kundër kombeve grabitqarë. Kundër kastës të kamatarëve, të cilët dje nxirrnin përfitime nga lufta dhe sot nxjerrin përfitime nga paqja. Dhe, ne do të rivendosim drejtësinë e vërtetë të cilën një njeri i ftohtë dhe budalla me një çekan ia mori borxh një kancelari gjerman të dikurshëm, kryqëzuar me katërmbëdhjetë gozhdë…

Katërmbëdhjetë Gozhdët kishin kuptimin e Katërmbëdhjetë Pikave të Wilsonit.

Por, ai nuk kishte kohë për të humbur. Përkufizimet paraprirëse e thuajse të gjitha ato të mëparshmet dhe vijueset u shfaqën fare shpejt paskëtaj në një vëllim të hollë poetik të D’Annunzios, botuar në Fiume.

Ndërsa po largohesha nga poeti, ai më shtiu në mendje që të intervistoja të ashtuquajturin president të Fiumes, i cili më siguroi se jugosllavët, po aq mirë sa edhe italianët e përkrahnin atë. Dr. Grosiq ishte një burrë shumë plak dhe ndoshta nuk e dinte kuptimin e asaj që po thoshte. Teksa e pyeta rreth plebishitit, që e zgjodhi dhe mbështeti D’Annunzion, ai u përgjigj:

“Ishte i mirë dhe u zhvillua me ndershmëri. Të gjithë qytetarët e mirë u lejuan të votojnë, ne i hoqëm qafe të gjithë elementët e padëshiruar, të gjithë socialistët, punëtorët që ishin bërë shkaktarë turbullirash, ne dëbuam pesë mijë prej tyre.”

Plebishiti që miratoi komandantin italian D’Annunzio kishte shumicën e pak më shumë se njëqind personave. Të pesë mijtë që u dëbuan para votimit ishin të gjithë jugosllavë.

Kur kjo histori e vogël doli në botimin e Parisit të Chicago Tribune, e pata kaluar kontrabandë tekstin e intervistave tri ditë më parë, pronari i hotelit më lajmëroi që ta lija hotelin dhe t’ia mbathja me trenin më të parë, përndryshe “D’Annunzio do të të vrasë.”

Në Abaci, në gjysmë të rrugës për në Trieste, tre anëtarë të Legjionit Dalmat hynë në kabinën time dhe më urdhëruan të kthehesha prapë në Fiume. Nuk pranova. Pastaj të tre më qëlluan disa herë me grushta, më kapën nga krahët dhe nga këmbët dhe më nxorën në stacion. Unë këmbëngula që t’i telegrafoja konsullit amerikan në Trieste dhe u thashë atyre që më kishin kapur se konsulli do të dërgonte një luftanije amerikane për të më liruar. Ata nuk e dërguan telegramin tim, por besuan fjalët që thashë për luftanijen amerikane. Më lejuan që të kap trenin tjetër.

Në të vërtetë, D’Annunzio ishte i mundur. Ishte i detyruar të dorëzohej. Kur pati organizuar këmishëzinjtë e tij dhe pati pushtuar Fiumen, ai pati caktuar një botues të gazetës së Milanos, “Popolo d’Italia”, një mik, për të mbledhur pare e për t’i dërguar atij ushqime dhe armatime. Ky mik, gazetari B. Musolini, mblodhi njëzet e pesë deri në pesëdhjetë mijë dollarë, shumicën prej italiano-amerikanëve. Ai nuk i dërgoi D’Annunzios asnjë kacidhe. Kur Mussolini doli në gjyq para Shoqatës së Gazetarëve të Lombardisë për vjedhjen e këtyre pareve, e mohoi “vjedhjen”, por pranoi se u kishte “ndërruar drejtimin” pareve, por për të njëjtin qëllim, pajisjen e trupave ilegale të këmishëzinjve me emrin “Fashistë” për të zëvendësuar Legjionin Dalmat.

Me këtë mënyrë të dykuptimtë, italiano-amerikanët u bënë mbështetësit e parë të Fashizmit. Me pesëdhjetë mijë dollarët amerikanë që i vodhi D’Annunzios, Mussolini mundi të krijojë Fashion e Milanos me një ushtri kombëtare të Këmishëzinjve, e cila në të vërtetë mori pushtetin në vend.

D’Annunzio ndoshta ishte një shkrimtar i madh. Dy nga librat e tij janë quajtur kryevepra nga shumë njerëz gjykimit të të cilëve u besoj. Frances Winwar në punimin e saj “Flatrat e Zjarrit” e lavdëron D’Annunzion dhe po ashtu informon lexuesit e vet se “Il Fuoco” (Flaka) “është fëmija i tij dhe i Duse, pikërisht sikurse ‘Trionfo della Morte’ (Triumfi i Vdekjes) pati qenë fryti i dashurisë së tij për Barbara Leon.”

Me sa duket këtij gjeniu i nevojitej një dashuri e re për çdo libër të shkëlqyer, pikërisht siç bënte Hemingway (kështu bënte edhe F. Scott Fitzgerald më tregoi njëherë Morley Callaghan). Por, megjithëse Hemingway u martua katër herë dhe shkroi nga një libër të bukur pas çdo martese, ai as nuk i zvetënoi as nuk i tradhtoi frymëzimet e sukseseve të tij letrare, thjesht i largoi ato. D’Annunzio i përdorte dashuritë e veta për përparime letrare, e duke bërë kështu, ai i flakte tutje. Në rastin e Eleonora Duse, ai kreu një krim të pafalshëm duke e shitur “fëmijën” e dashurisë së tyre për parà.

Për më tepër, më parë se të botohej “Il Fuoco”, Duses i patën thënë se në atë libër nuk ishte vetëm historia e dashurisë së tyre, por gjithashtu një libër kushtuar tërësisht mënyrës së tyre të të bërit dashuri dhe seks, të cilat qenë shkruar në mënyrë kaq të hollësishme, kaq shkoqur sa që ky libër do të trondiste botën letrare jo vetëm të Italisë, por edhe të Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara. Eleonora Duse me ngut vajti tek D’Annunzio.

D’Annunzio e siguroi atë se heroina Foskarina, nuk ishte aktorja Duse dhe ato që kish shkruar nuk ishin poshtëruese ose tronditëse, siç i patën thënë Duses. Si për t’u mbrojtur ai mund t’i lexonte asaj disa faqe, të cilat ia lexoi dhe Duse e mblodhi mendjen e u largua.

Ndonëse ka qenë e pamundur për mua që të gjej prova të dokumentuara për këtë histori e cila vazhdon, po e tregoj këtu siç ma kanë rrëfyer persona nga burime të sigurta të cilëve u besoj.

Duse erdhi për herë të dytë ta takojë D’Annunzion. Ajo i tha atij se e kishte gënjyer. D’Annunzio u rrudh dhe i tha se ishte trokë ama fare trokë dhe se i duheshin pare.

Duse e pyeti sa pare.

D’Annunzio tha se botuesi i tij i Milanos i pati premtuar 25.000 dollarë.

Duse i kërkoi ish të dashurit që ta priste për njëfarë kohe. Me ngut ajo rregulloi një sërë shfaqjesh “lamtumire” në Amerikë, luajti nëpër salla të mëdha, shumë kritikë shkrojtën se ajo ishte më madhështore se sa pati qenë ndonjëherë Sara Bernhardt. Ajo u kthye në Itali duarplot me 25.000 dollarë dhe ia dha paret D’Annunzios. Ai i dha dorëshkrimin.

Në apartamentin e saj, përpara oxhakut, Duse lexonte “Il Fuoco”. Ishte një libër shumë i bukur, thuajse një kryevepër. Por, si një roman a clef nuk kish nevojë për çelës. Foskarina ishte plotësisht e ngjashme me të; dhe me prozën e tij më të mrekullueshme poetike ai ia kushtonte kapitull pas kapitulli çdo hollësie të të bërit dashuri midis syresh, madje pa harruar as damarët e kaltër tek shalët e hapura të dashnores dhe as leshnajën e pubisit.

Fletë pas flete Duse e hodhi dorëshkrimin në zjarrin e oxhakut.

Rreth tre muaj më vonë libri doli në të gjitha libraritë e Milanos. Libri u çua në shtyp nga kopja e dytë me fletë karboni, që kishte bërë autori, gjë për të cilën Duse nuk ishte në dijeni – dhe D’Annunzio kësaj radhe përlau edhe një dorë tjetër me 25.000 dollarë.

(Tradhtia është tradhti, si ndaj një njeriu po ashtu ndaj një shteti. Shumë tradhtarë kanë tradhtuar vendin e tyre për atë që besonin, për një çështje të lartë. Ky njeri thjesht i dyfishoi paratë e veta. Mendoj se ai ia meriton të jetë në krye të trinisë sime të pashenjtë të “Qen bir qenve)

Exit mobile version