Site icon Telegrafi

Danimarka ofron përkrahjen në rrugën euro-atlantike të Maqedonisë

Në suaza të vizitës rajonale të vendeve skandinave, sot, ministri i punëve të jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov qëndroi në takim pune në Mbretërinë e Danimarkës.

Siç lajmëruan nga MPJ, në takimin me homologun e tij danez, ministrin Anders Samuelsen, Dimitrov ka përcjellë gatishmërinë e Qeverisë së RM për të plotësuar kriteret e detyrueshme për rinisjen e procesit të integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO, pëcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministri Dimitrov ka cekur prioritetet kyçe të reformave, të përqëndruara në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me të gjitha vendet e rajonit, miratimin e Planit 3-6-9, sundimin e së drejtës dhe pavarësinë e institucioneve, thuhet në kumtesën e shërbimit për shtyp të MPJ-së.

Ministri Samuelsen ka përshëndetur punimet e Qeverisë së re të Maqedonisë në drejtim të zbatimit të reformave të domosdoshme, si bazë për arritjen e përparimit të shumë pritur në rrugën drejt integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë duke thënë ‘Keni përkrahjen e plotë politike të Mbretërisë së Danimarkës në drejtim të punës tuaj të përkushtuar në drejtim të arritjes së këtyre qëllimeve’.

Turnea e vizitave në vendet skandinave nesër vazhdon me vizitën në Suedi, të enjten në Finlandë dhe do të përfundojë me vizitën në Norvegji, ditën e premte./Telegrafi/

Exit mobile version