Franca e ka nisur mjaftë mirë Kampionatin Botëror ‘Katar 2022’, ku ka mposhtur Australinë me rezultat të thellë 4-1.
E në ndeshjen e dytë, kampioni në fuqi i botës do të përballet me Danimarkën, një kundërshtar aspak të lehtë.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps ka folur për këtë sfidë, ku fillimisht u ndal tek ndryshimet që do të bëj.
“Mund të bëj gjithçka me formacionin. Ndaj Australisë, veç golit, gabuam edhe në katër situata të tjera që duhet t’i menaxhojmë më mirë. Është e qartë se çdo herë ka gjëra që mund të përmirësohen, edhe pse kemi treguar shumë cilësi në fazën sulmuese”.
“Idealja është që të jesh i rrezikshëm në sulm dhe të mos pësosh gol. Le t’i afrohemi ndeshjes perfekte. Pastaj, nëse do të ndryshoj diçka në ekip apo jo, ua lë ju të flisni e të debatoni”, tha Deschamps.
Franca ka humbur dy ndeshjet në Ligën e Kombeve ndaj Danimarkës, por kjo nuk e shqetëson Deschampsin pasi thotë se tani janë në Kupën e Botës dhe gjithçka është ndryshe.
“Danimarka është ekip i nënvlerësuar, në krahasim me vlerën reale që ka. Na kanë bërë të vuajmë shumë”.
“Duhet ta ndryshojmë këtë trend në ndeshjen e së shtunës. Ne e njohim Danimarkën, ata na njohin ne, por ndeshjet e qershorit, shtatorit dhe kjo në Kupën e Botës janë ndryshe nga njëra-tjetra për momentin që të dyja skuadrat po kalojnë”, përfundoi Deschamps. /Telegrafi/