Site icon Telegrafi

Danielsson: BE do ta vazhdojë mbështetjen politike e financiare për Kosovën

Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson, gjatë vizitës në Kosovë është takuar me përfaqësues të Qeverisë, liderët e të gjitha partive kryesore politike, anëtarët e shoqërisë civile.

Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis BE-së dhe Kosovës, si dhe shprehu nevojën për konsensus në të gjithë spektrin politik për të adresuar sfidat e Kosovës për reforma, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe reformave strukturore ekonomike.

Drejtori i Përgjithshëm, Danielsson ka shprehur përkushtimin e fuqishëm të BE-së për të çuar përpara reformat e Kosovës të cilat janë të lidhura me BE-në.

“BE-ja do të vazhdojë të jep mbështetjen e plotë politike dhe financiare për Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes, duke ndërtuar një administratë publike transparente, si dhe duke mbështetur zhvillimin e saj ekonomik dhe konkurrencën”, thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Siç ceket në këtë njoftim BE-ja, ka ndarë 25 milionë euro për reformën e administratës publike të Kosovës për vitin 2016.

“Por, parakushtet duhet të përmbushen. Një kornizë e qëndrueshme makroekonomike është një nga parakushtet për mbështetjen e buxhetit të planifikuar të BE-së për të reformuar administratën publike të Kosovës. BE-ja është duke ofruar mbi 600 milionë Euro për periudhën 2014-2020 në ndihmë për të forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen, si dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Progresi i Kosovës drejt liberalizimit të vizave u diskutua në të gjitha takimet e Drejtorit të Përgjithshëm, transmeton KP.  Ai theksoi vetëdijen e plotë të Komisionit Evropian për rëndësinë e këtij procesi për Kosovën.

Përmbushja e 93 prej 95 kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave të saj ka çuar në një propozim formal nga ana e Komisionit, më 4 maj 2016 për një vendim të Këshillit dhe Parlamentit Evropian për të transferuar Kosovën në listën e shteteve pa viza Shengen, në kuptimin që, nga dita e miratimit të këtij propozimi, Kosova do të ketë përmbushur dy kërkesa të mbetura: të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të forcojë të dhënat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në reformat që lidhen me BE-në dhe në avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, thuhet në njoftimin nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Exit mobile version